Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit feston sot 71-vjetorin e krijimit.

I themeluar më 11 janar të vitit 1953, teatri i Durrësit ka nxjerrë ndër vite emra shumë të njohur aktorësh dhe regjisorësh, që i kanë dhënë aq shumë jo vetëm skenës lokale, por edhe asaj kombëtare.

Përgjatë vitit që lamë pas, teatri humbi dy emra të shquar, aktorët Lutfi Hoxha dhe Mirush Kabashi, që u ndanë nga jeta respektivisht në muajin shtator dhe dhjetor 2023.

Në këtë datë të shënuar në historinë e teatrit të Durrësit, aktorja Mimoza Marjanaku, përmes një postimi në rrjete sociale, kujton ata artistë që tashmë i mungojnë skenës dhe artdashësve.

“Çdo 11 janar kujtoj me respekt ata Njerez te medhenj qe vune gurin e pare e ngriten murin e godines se Teatri Aleksander Moisiu. Perulem me respekt ne kete dite te vecante qe shenjoi lindjen e Teatrit tone! Mirenjohje per te gjithe ata aktore qe nuk jane me midis nesh por qe i njeh cdo centimeter i kesaj skene te madherishme! Ne dite gezimi, si pa kuptuar me shkojne para syve te gjithe ata e teksa ndiej dhimbje, jam shume falenderuese per kete trashegimi per te cilen kemi pergjegjesi per ta ruajtur e pasuruar! Gezuar diten e lindjes Teatri im!”,– shkruan Marjanaku.