NGA Artan Fuga
Me shkrijnë gazit skenat që shoh nga punimet e Kuvendit të Shqipërisë!
Gaz paçin gjithmonë!
Kur kryeministri që pret të marrë detyrën mbretërore bën si ekologjist duke qendruar ulur në plate dhe mbledh letrat e grisura që hedhin deputetët e opozitës në dysheme!
Dhe deputetët e opozitës që bëjnë sikur nuk ka zinxhir që i mban për të shpërthyer opozitarizmin e tyre duke grrisur letrat e votimit dhe hedhur me neveri në tokë gjoja se nuk e pranojnë këtë Kuvend të paligjshëm!
Po lekët e rrogës nuk i grrisin ama, i fusin në xhep pa neveri kur të firmosi borderonë kryetarja! Dhe kryetari i opozitës kuvendare që i drejtohet zonjës Nikolla me tërsëllëmë dhe fyerje për një miniçështje, kurse lopa bën muuuuu për një mijë çështje të tjera dhe nuk vihet re!
Një show opozitar që bëhet për të mbuluar faktin që u tha se nuk do të njihen zgjedhjet, por njihet tani rezultati i tyre, Kuvendi, që doli nga ato zgjedhje!
Pra opozitarizmi kuvendor vazhdon të jetë opozitë irracionale me fjalë dhe e kundërta, hipokrizi me vepra! Kundër zgjedhjeve me fjalë, por pro pranimit të rezultatit të tyre de facto!
Grrisen copat e letrës gjoja për të treguar opozitarizëm të çartur ndërkohë që me atë veprim, realisht, opozita përsëri abstenoi nga votimi për Nikollën, për komisionet, etj., dhe shumica bëri si i deshi qejfi! Nuk doni të votoni? Kurrrë mos dashti!
Vazhdon historia hipokrite e bojkotimit, tani bojkotim me pjesëmarrje) që na ka sjellë në këtë derexhe!
Rezultati? Opozita nuk votoi kundër ndaj zonjës Nikolla! Pra, pa vota kundër në Kuvend ajo!
Lëre shpërndarjen e deputetëve të opozitës sa te partia nacionaliste antigreke që kërkon Camërinë, sa te grupi politik ku është edhe partia që përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri!
Eshtë bërë si dikur kur luante Partizani me ndonjë skuadër të huaj dhe Dinamo e Tirona i jepnin lojtarë hua sa për një ndeshje! Gënjehej në sy të mijëra tipofaze në stadium pa iu bërë kujt qejfi qeder!
Deputetë që hyjnë me tjetër ngjyrë politike në Kuvend sipas mandatit të marrë nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve dhe tjetër grup përfaqësojnë në punime!
Hipokrizi e ngritur në sistem! Pa iu bërë qejfi qeder askujt!
Dhe hajde fol pastaj për shëndoshje të sistemit të qeverisjes që shkruante e premtonte para zgjedhjeve zoti Basha në librin e tij “Misioni im”!
Përse nuk i propozojnë dhe z. Sali Berisha të shkojë te grupi i LSI-së përderisa e kanë lënë në stolin e rezervave ?
Skena radikalizmi nga deputetët e orkestruar, që bëjnë si ushtarë të njejtin veprim të programuar kolektivisht, zëvëndësojnë veprimin opozitar me akte fizike grrisjesh, dhune verbale, fyerjesh, drejtim gishti, kot më kot, për të thënë ja: Atë opozitarizëm diskursiv që e bënte Berisha më parë, tani e bëjmë ne, pa problem! E kemi zëvëndësuar me sukses!
Si edhe për të ulur ndërgjegjen e shqetësuar të elektoratit demokrat, të militantëve demokratë që kanë ngelur me gisht në gojë, rrugëve, ndërsa shohin sesi deputetët e tyre bëjnë teatër para kamerave me televizion. Dhe për ta zgjatur shfaqjen shtojnë edhe një ecje me këmbë të mërzitur nga Kuvendi deri buzë Lanës!
Po mjaft o mjaft! Mjaft se na hapët barkun!