Ish-deputetja demokrate Albana Vokshi ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit për Teatrin Kombëtar, që do të jetë në rend dite për shembjen në mbledhjen e radhës së bashkisë së Tiranës.

Sipas Vokshit, “TK është në rrezik më shumë se asnjëherë nga epidemia e vjedhjes, e grabitjes së pronës publike, nga babëzia për të zhvatur gjithçka që ta jep në dorë pushteti i vjedhur dhe i blerë me paratë e krimit.”

Vokshi shkruan në Facebook se paratë e pista të krimit e drogës duan të ndërtojnë kulla betoni në tokën e teatrit.

POSTIMI I PLOTË

Teatri Kombëtar është në rrezik më shumë se asnjëherë nga epidemia e vjedhjes, e grabitjes së pronës publike, nga babëzia për të zhvatur gjithçka që ta jep në dorë pushteti i vjedhur dhe i blerë me paratë e krimit.

Ky është një qark i mbyllur mes qeverisë dhe botës së krimit. Paratë e pista të krimit dhe korrupsionit që zgjedhin qeverinë, parlamentin, pushtetin lokal, kanë vënë në lëvizje vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që të investohen në kulla betoni në tokën e Teatrit dhe në pronën publike pas tij.

Kësaj skeme kriminale do t’i shërbejë edhe vendimi i nesërm i Këshillit Bashkiak për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ky është një vendim që e mbajnë sekret, sepse është një raport i manipuluar, siç ka mashtruar këto 20 vjet Edi Rama opinionin publik, duke na thënë se Teatri rrezikon të shembet. Teatri nuk u shemb as kur gënjeu Edi Rama, as kur ra tërmeti.

Rreziku i vetëm i vjen nga babëzia e Edi Ramës dhe e Erion Veliajt për të vjedhur. Bashkë me artistët dhe qytetarët do të jemi këtu për t’i bërë rezistencë kësaj hordhie që, në ikje e sipër po përpiqet të na vjedhë pasurinë kombëtare, të na shkatërrojë trashëgiminë kulturore me akte talebanësh dhe të na përdhosë identitetin tonë europian.