Nga BUJAR QESJA
Më në fund guxoj të kaloj në një temë sa autoritare, aq edhe delikate. Autoritare se na bën nder të gjithëve, duke përfshirë edhe autorin e këtyre rradhëve. Delikate, pasi kërkon penë të fortë për ta trajtuar. Temat e mëdha nuk ka nevojë t’i kërkojmë, duke ngritur sytë lartë, e parë horizontin e kaltër apo gri.
Paqëllim besoj, ardhur nga kufizimet kulturore dhe mungesa e fantazisë profesionale, shkelim dhe i copëtojmë temat e rëndësishme. Koha e djeshme vendoste gijotinën e politikës, duke grirë në satër-in e mprehur nga urrejtja vlerat dhe trashigiminë e tyre, duke bërë që të mendohej se gjithçka tek ne kishte filluar pas vitit 1944.
E tash çfar bëjmë? Bëjmë përsëri kërdinë, duke vrarë me injorancën, me turpërinë e cungimit të mendimit të avancuar, lyer me iluminim dhe civilizim, duke mohuar jo vetëm 44-trën, por edhe vetë rikthimin në mendimin e lirë të pas viti 1990. Kam shkruar e shkruar, e pak më duket se kam bërë. Do të shkruaj, e do të shkruaj, e do të mendoj sërish se pak do të bëj.
“Grushtova” në trutë e mëndjes, për të nuhatur më mirë kryesoren nga udhëhiqemi, apo duhet të udhëhiqemi. Pa hezitim reagoj: nga vlerat tona. Për të keqen tonë, antivlerat na ngacmojmë më shumë, duke fshirë apo lënë në harresë ecurinë e mbarë, veçanërisht duke gërrmuar në historinë tonë. Dhe jo shumë të largët.
Kisha harruar krejt pa qëllim këtë temë, që kam muaj që e bluaj në këtë mëndjen time. Tedeskinët. Në origjinal shkruhet Tedeschinët. Historian nuk jam, ndonëse historinë e kam për zemër. Shkencëtar nuk jam, ndonëse e pëlqej ecurinë e saj. Nuk jam as mjek, as jurist, a punonjës agrar. Nuk jam…., nuk jam….!
Por diçka jam. Jam një i zakonshëm që tentoj të përdor lapsin, e të hedhë në letër mendimin. Më ngacmoi për këtë, dy fakte reale të marra nga jeta e gjallë e jona. Syri i profesionistit të letrave, që ka mendimin armë, që ka dëshirën dhe dashurinë për të tijët dhe qytetin ku lindi, të mos mërzitet së përkushtuari. Të ndihmoj me sa të mundet.
Hajde gazetar, rrëfe atë që ke në mëndje dhe mos e lodh lexuesin! Vëmëndjen tënde disa mujore për këtë temë, çfaqe dhe me sa më shumë ngarkesë shpirtërore. Me 8 gusht 2021, në shtëpinë e Tedeskinëve, Florian Vlashi realizoi artistikisht një nga 10 ditët e “Netëve të muzikës klasike”. Me 26 tetor 2022, shkrimtarja Anissa Markarian, promovoi librin “Shtëpia te Selvia”, m’u në këtë vënd që quhet Shtëpia e Tedeskinëve. Pse u bë pikërisht këtu? Nga vlerat, nga vlerat, nga vlerat, njëmijë herë nga vlerat që ka, historia e kësaj shtëpie dhe e banorëve të saj.
Këtu tani jetojnë një çift fisnikësh, kryelartë dhe krenarë si vetë paraardhësit e tyre. Quhen Jozef Tedeskini dhe Alma Tedeskini. Alma është me profesion mjeke. Ndërsa pinjolli i Tedeskinëve-Zefi, është me profesion agronom. Zanatin për shumë kohë, e ushtroi në Stacionin e Mbrojtjes së Bimëve, apo në Institutin e Mbrojtjes së Bimëve. Puna i dha nder dhe emër, në saj të botimeve në specialitetin që zotëron. U bë edhe drejtor i saj. Mban gradën Prof.Ass.Dr. Është pak të thuash, që është me arritje kulturore.
Edhe më parë se unë tani, janë hedhur mendime për Tedeskinët. Janë konsumuar disa metra film. Ka edhe botime, gjithnjë në fazën e miniaturës. Më është dashur të thithë sa më shumë gjëra, që janë folur dhe shkruar për ta. Jam munduar të prekë brezat. Kam nxjerrë edhe disa shënime. Por sa herë mësoja për këta Tedeskinë të mënçur, të urtë dhe të thjeshtë, mbrojtës të së vertetës, kurajozë dhe pasionantë, të dhëmbshur dhe të ndjeshëm, duke “bërtitur” qoftë edhe për një zog të robëruar, më dalin përpara si në ekran, çifti që ia dëgjojmë frymëmarrjen në qytetin tonë: Zef dhe Alma Tedeskini.
Pse e vendos këtë si të parë? E ç’rëndësi ka kjo, para shkëlqimit të breza e brezave të tërë Tedeskinësh, kur u vendosën në Shqipëri thërritur nga Bushatllinjtë e Shkodrës në vitin 1763, duke ardhur nga Ambruzzo italiane? A na bëjnë nder t’i njohim, po se po, por edhe të mburremi me Tedeskinët? A ka ndodhur deri tani kjo? Sigurisht që jo. A duhet të ndodhë? Sigurisht që po.
Duke mbrojtur dhe folur për Tedeskinët, aq më shumë që pinjollin e tyre e kemi në Durrës, mbrojmë kulturën qytetare, prejardhjen tonë nderuese. Shkurt mbrojmë identitetin tonë. Tedeskinët kanë farmacinë e parë në Durrës dhe kanë shërbyer falas për të vobektit. Tedeskinët janë zëvëndëskonsuj të Venedikut dhe konsuj të Austro-Hungarisë. Pikërisht në këtë shtëpi të 1843-shit, ku Florian Vlashi dhe Anissa Markarian ekspozuan fuqinë e artit të tyre.
Bushatllinjtë e Shkodrës i kërkuan Tedeskinët, se ishin të famshëm dhe i bënë mjekësinë këtij qytetit. Nga Shkodra erdhën në Durrës dhe na dhanë famën e diplomacisë, farmakologjisë, të drejtësisë, të fesë, të eruditit, shkencëtarit, të poliglotit, të mbrojtjes të traditave të pasura dhe të hershme të zakoneve dhe virtyteve. Tedeskinët janë mburrja e jonë. Dhe thirrja për këtë, duhet të buçasë.
Duke nisur shumë herët, e më pas me stërgjyshin Jozef, gjyshin Frençesko e babain Emidio, këta Tedeskinë na kanë zbardhur faqen, duke shërbyer si themel për të ngritur katet e kulturës dhe vazhdimësisë. Por këtë duhet ta çfaqim, duke shkulur gjëmbat e pakujdesisë dhe jo pak edhe të injorancës tonë. Pakujdesi që nuk falet. Cungimi i vlerave na ul kryet, pasi mbulohemi me baltën e paditurisë, duke frenuar përhapjen e të mirës që aq bukur dhe hijshëm ndërtuan Tedeskinët tanë.
Shtëpia e Tedeskinëve në Durrës. Pret si me shpatë kryqëzimin e rrugëve me emra nderues “Pal Engjëlli” dhe “Dom Nikollë Kacorri”. Një mur i ndan, nga kisha e njohur katolike e “Shën Luçias”. Kjo shtëpi me stil mesjetar e ndërtim klasik të kohës, materialet e ndërtimit kanë ardhur nga Venediku dhe pjesë të tjera të Italisë. Edhe njëherë kujtojmë vitin: 1843. Si është tani kjo shtëpi? Sikur të jetë ndërtuar sot. Kujtoj një histori të dhimbshme.
Ishte viti 1986. Në një pjesë të shtëpisë së Tedeskinëve ra zjarr. Kjo është nga momentet më dramatike të çiftit Zef dhe Alma Tedeskini. Në vënd të ujit dhe të fikseve, vendosën më parë zemrat, shpirtërat e tyre. Dhe në çast dëgjuan thirrjen e të parëve, të atyre që erdhën në Durrës nga viti 1767:
-Mbroni me ç’të mundeni këtë pasuri tonën, por jo vetëm. Amanet nga ne. Të mos shuhen gjurmët e hershme të Tedeskinëve në Durrës, sepse do të jetë një djegie akoma më e madhe! Do digjet kultura, ajo që u ndërtua me shumë mund.
Iu kujtua gjyshja e tyre e shtrenjtë Kushe Binaku, që erdhi nga Shkodra për t’i dalë zot shtëpisë së 1843-shit, pasi komunistët po tentonin ta rrënonin këtë pasuri dhe ta mbushnin me dheun e tmerrit dhe mohimit. Iu kujtuan gjithashtu çiftit bujar dhe me zemër të madhe Tedeskini, lindja në Durrës në vitin 1790 e Agate Tedeskinit, gjyshes së patriotit të madh të kombit shqiptar Luigj Gurakuqit. Alma dhe Zefi u bënë zjarr, për të shuar zjarrin.
Dhe këtu do të dal me përfundimin, që më mundon tash e për disa kohë. T’u bashkohemi Tedeskinëve dhe të mos i lemë vetëm! Kur u vendos atë ditë Anissa Markarian në oborrin e Tedeskinëve, nuk u ndjeva rehat, ku secili kërkonte të rrëmbente suksesin e atij promovimi të zakonshëm libri. E jashtëzakonshme aty ishte, ambjenti ku u vendos ky libër.
Nuk është e vështirë për tu kuptuar që regjia dhe skenari ishte vetëm e një dore, e çiftit mahnitës Zef dhe Alma Tedeskini. Edhe Omer Kajami do të kishte dëshirë, që në magjinë e shtëpisë plot histori dhe relike të çmuara të promovonte librat e tij këtu, në oborrin mbushur me aromën kundërmuese dhe ëndërruese të të mëdhenjve Tedeskinë të Durrësit.
E duam historinë, pasi është identiteti ynë. Përmëndim që breza Tedeskinësh janë të famshëm, studiues dhe oratorë, magjistarë të së bukurës dhe të së mirës, themelues të diplomacisë dhe dijetarë të kombit, që kanë lënë ngarkesë të madhe dhe të çmuar të trashigimisë.
Por mburrja e jonë veç këtyre, duhet të përqendrohet tanimë edhe tek Zefi me Almën, që po i nderojnë Tedeskinët e mëdhenj të historisë. Duke qenë së bashku, ato nuk kanë kohë të qahen dhe të thonë:
-Vendosni një dorë, në këto mure të vjetra por të qendrueshme!
Po i kryejnë më së miri detyrat e tyre. Por duhet të kryejmë edhe ne tonat. Tedeskinët sa janë në historinë e tyre, aq i takojnë edhe historisë tonë. Nderi i tyre është edhe nderi i jonë. Nëse shteti vonon të prekë përgjegjësinë, për të kuptuar që vlerat e shtëpisë së Tedeskinëve janë monument kulture i këtij populli, dëmi rrezikon të shtrihet. Zefi dhe Alma janë të betuarit e gjallë dhe kanë meritën e jashtëzakonshme që shtëpinë e të parëve të tyre, e kanë kthyer në përmasat e institucionit. Ata e kanë bërë shtëpinë e tyre, nderi dhe mburrja e Durrësit. Dhe pas kësaj, detyrimi kalon në anën tjetër.
Tedeskinët e Durrësit! Tedeskinët tanë të historisë! Shtëpia e tyre 180 vjeçare. Qendër e qytetarisë, mikpritjes, hapsirave të pafund të zemrave shqiptare, bazë e demostrimit të arritjeve kulturore dhe artistike të Durrësit. Zef dhe Alma Tedeskini e ndjejnë se mbiemri i tyre peshon shumë. Grami i parë i kësaj peshe u regjistrua në vitin 1763, duke ardhë e u bërë ortek gjigand në 2022-shin. Mbiemër ku janë të gjallët e përjetshëm të kulturës dhe traditave në çdo sektor shpirtëror.
Tedeskinët fitues në të gjitha prezantimet. Njerëzit i kujtojnë të mirat e tyre. Por nuk duhet ti harrojmë. Tedeskinët e Durrësit! Zefi dhe Alma mburrja dhe mburoja e jonë. Mirënjohje!
Bujar Qesja
Durrës: 28 dhjetor 2022