Sekretari i Përgjithshëm i Parisë së Lirisë, Tedi Blushi, me anë të një postimi në Facebook, akuzon bashkinë e Durrësit, që sipas tij ky institucion po paguan të shumë kërkuarin e drejtësisë për aferën e incenratorëve, Klodian Zoto.
Blushi thotë se “më 4 tetor 2022 Bashkia e Durrësit ka kaluar në llogarinë e Klodian Zotos 300 mijë euro edhe pse situata në terren, siç Partia e Lirisë e ka denoncuar, tregon se qyteti është i përmbytur nga plehrat”.
Postimi i plotë i Blushit:
Krimi vazhdon: Bashkia e Durrësit paguan 300 mijë euro Klodian Zoton e inceneratorëve në arrati!
Ekonomia dhe familjet shqiptare janë në krizë të thellë, por pagesat për inceneratorët fiktivë, nën hetim dhe sekuestro vazhdojnë. Në 4 tetor 2022 Bashkia e Durrësit ka kaluar në llogarinë e Klodian Zotos 300 mijë euro edhe pse situata në terren, siç Partia e Lirisë e ka denoncuar, tregon se qyteti është i përmbytur nga plehrat.
Pagesat për inceneratorët nuk ndalen ndonëse pedogagët dhe profesorët prej javësh janë në protestë për një pagë dinjitoze dhe kushte më të mira pune.
Sot shqiptarët e kuptojnë edhe më qartë se përballë nuk kemi një Qeveri por një organizatë kriminale, ku drejtues është Edi Rama dhe ku pjesëtarë janë Ministra, Kryetarë Bashkie, Sekretarë të Përgjithshëm dhe drejtorë, që vazhdojnë të mbushin xhepat me vjedhjen më të madhe që pluralizmi ka parë deri tani.