Një paralajmërim i fortë ka ardhur nga Mohsen Rezaei, ish-komandant i Gardës së Revolucionit dhe anëtar i Këshillit për Interesat e Shtetit të Iranit, i cili deklaroi se çdo sulm ndaj infrastrukturës iraniane nuk do të mbetet pa pasoja.
Në një intervistë për televizionin shtetëror iranian, Rezaei u shpreh se SHBA-ja “do të paralizohet dhe do të mbytet në Gjirin Persik”, duke paralajmëruar drejtpërdrejt Presidentin amerikan Donald Trump se “ditët e fundit të mbijetesës amerikane po mbarojnë”.
Ai shtoi se “lufta do të vazhdojë deri sa të rikuperohen të gjitha dëmet, të hiqen sanksionet ekonomike dhe të sigurohet që SHBA të mos ndërhyjë më në punët e Iranit”. Rezaei theksoi se ky është vendimi i kombit iranian, i udhëheqësit dhe forcave të armatosura.
Nga ana tjetër, Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar “biseda produktive” gjatë fundjavës, duke vendosur të pezullojë sulmet ndaj centraleve të energjisë iraniane për pesë ditë. Megjithatë, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad-Bagher Ghalibaf, mohoi zhvillimin e negociatave me SHBA-në dhe tha se nuk është përfshirë në asnjë bisedim të tillë.





