Tekila është pija kombëtare e Meksikës. Përfaqëson kulturën dhe stilin e jetesës meksikane në mënyrë të përsosur dhe konsumohet nga vendasit për çdo rast. Qoftë një festë, një rast familjar apo pas një dite të lodhshme pune.
Megjithatë, kjo pije është në rrezik dhe po vuan pasojat e tensioneve politike mes Meksikës dhe SHBA-së.
Edhe nëse tarifat e Presidentit të SHBA Donald Trump ndaj Meksikës nuk vendosen, kërcënimet dhe pasiguria e shkaktuar nga gjuha e përdorur e kreut të Shtëpisë së Bardhë i ka kushtuar para këtij sektori dhe mund të sjellë një ngadalësim të përkohshëm të shitjeve.
“Rreth 90 % e biznesit tonë përbëhet nga produkte meksikane dhe tekila është një prej tyre. Tekilës i duhet të kapërcejë këtë situatë të vështirë. Duhet të besojmë tek biznesi ynë ose ndryshe kjo do të thotë se jemi në vendin e gabuar”.
Tarifat prej 25%, që fillimisht do të zbatoheshin nga Shkurti dhe më vonë më 4 Mars përpara se të pezulloheshin në të dyja rastet, kërcënuan miliarda Dollarë importe nga prodhues të mëdhenj si Diageo.
Ato nxitën bizneset dhe konsumatorët të grumbullonin tekila, të cilat mund të prodhohen vetëm në Meksikë, të ngrijnë planet e zgjerimit dhe të devijojnë burimet diku tjetër.
Disa restorante kanë grumbulluar rezerva të mëdha të tekilës, deri në gjashtë muaj, një vendim që do të shpërblehet nëse vendosen tarifa. Por për prodhuesit kjo ka edhe kosto, pasi pija e tekilës tashmë po vuan pasojat.
“Për momentin, ne jemi duke pritur se si do të ecin gjërat. Megjithatë, impakti më i madh do të jetë për ata që ndodhen në anën tjetër të kufirit të cilët po ndjejnë pasojat sepse janë ata që prodhojnë. Ata po luftojnë për të mbajtur në këmbë bizneset e tyre, nga Mescaleros te kushdo që thjesht importon ndonjë produkt meksikan. Kur të vije momenti i tarifave do të marrim një goditje, patjetër.”
“Pavarësisht se çfarë ndodh … një çmim është paguar,” thotë Mike Novy, shefi ekzekutiv i Calabasas Beverage Company, e cila operon me markën e tekilës të themeluar nga Kendall Jenner, 818 Tequila.
Kompania u kërkoi punonjësve të saj të punonin jashtë orarit gjatë festave të Dhjetorit, në mënyrë që të mund të furnizonte për gjashtë muaj me produkte SHBA -në përpara tarifave.
Kompania gjithashtu kishte lëmë në pritje lançimin e produkteve të tjera. Ata që punojnë në këtë sektor thonë se nuk ka mënyra për t’ju shmangur këtyre tarifave.
“Është shumë e thjeshtë se si do të shkojë kjo situatë. Ose do të na duhet të rrisim çmimet ose do të marrin këtë goditje. Ajo që na mbetet të bëjmë është të ruajmë frymën e komunitetit në mënyrë që njerezit të vijnë sërish”.
Brian Rosen, një investitor që bashkëpunon me markat e pijeve alkoolike thotë se kompanitë e tekilës po paguajnë deri në 20,000 Dollarë për kontenier transporti për ruajtjen e tyre.
Kostot e tilla të ruajtjes vetëm mund të shtyjnë disa marka të rrisin çmimet, një tjetër efekt i parashikuar i tarifave që mund të ndodhë tani edhe nëse ato nuk zbatohen, shprehet ai. Ndikimi në pijen e tekilas tregon dëmin kolateral të përpjekjeve të Trump për të prishur dhe rindërtuar marrëdhëniet tregtare globale në favor të Shteteve të Bashkuara.
La Contenta Oeste, një restorant meksikan në Nju Jork, porositi 120 kuti me tequila për tu furnizuar për 6 muaj. Pronari i restorantit zakonisht blen vetëm rreth 20 kuti. Në këtë restorant klientët porosisin shumë margaritën e cila si përbërës kryesor ka tekilën.
“Ne jemi restorant meksikan prandaj margarita është një pije shumë e rëndësishme dhe na sjell shumë të ardhura. Diku te 35 %, por gjatë Majit kjo shifër shkon në 40 deri në 45%. Po flas për muajin Maj sepse kemi Cinco de Mayo dhe disa festa të tjera. Prandaj shitjet do të jenë shumë të larta”.
Me vendosjen e tarifave ai paralajmëron se do të ketë rritje të çmimeve për klientët e tij.
“Dymbëdhjetë Dollarë, është një çmim shumë i mirë. Por mendoni pak, nëse do të filloj të paguaj për këtë tekila, 30 Dollarë për shishe, kjo do të më detyroj ta rris çmimin deri në 22 Dollarë një pije margarita. Kush do të paguajë 22 Dollarë margarita? Nuk e di. Ne bëjmë një punë të shkëlqyer. Shikoni pak këtë djalin këtu. Ai është Princi i Margaritas. “El Rey” de las Margaritas është këtu, ai është gjithmone i buzëqeshur. Ti madje mund të paguash edhe 30 Dollarë me dëshirë për margaritat e tij. Ai e bën këtë punë me shumë pasion, dhe gjithashtu, është njëqind për qind meksikan.”
Luis Arce Mota, pronar dhe kuzhinier në La Contenta Oeste në Nju Jork, ndihet më pozitiv për të ardhmen pas mënyrës se si është sjellë presidentja meksikane Claudia Sheinbaum lidhur me kërcënimet e Trump.
“Unë jam shumë optimist, dy muaj më parë isha pak, por pasi shoh se si presidentja meksikane e ka trajtuar situatën, nuk besoj se do të ketë tarifa për Meksikën”.
Në Meksikë, ndërkohë, përfaqësuesit e markave të tekilës thonë se kompanitë do të shkojnë drejt tregjeve të reja, shenja të ndryshimeve në investime që mund ta bëjnë sektorin e tekilës në SHBA më të prekshëm.