Një teknikë të re kirurgjikale që e bën më të lehtë transplantimin e organeve. Dhuruesit kanë më pak dhimbje, më pak komplikacione dhe shërim më të shpejtë sesa me një procedurë tradicionale.
Më shumë se 14,000 mijë njerëz në Shtetet e Bashkuara janë duke pritur për një transplantim të mëlçisë që do t’u shpëtonte jetën.
Disa janë në fazën e fundit të sëmundjes së mëlçisë. Abraham Aviv nuk është më një prej tyre.
“Më duket sikur jam përsëri ai që isha, njeri normal”.
Mëlçia është një nga pak organe që një njeri i gjallë mund të dhurojë për dikë tjetër që e ka të nevojshme.
“Një në çdo pesë pacientë nuk arrijnë të marrin një organ të ri, pra 25 përqind e njerëzve në atë listë vdesin”, thotë Nikko Velazquez, dhurues organi.
Nikko Velazquez, i dashuri i vajzës së Abraham Avivit, i trembej këtyre gjasave. Ai vendosi të testohej kur mësoi se anëtarët e familjes nuk kishin parametrat e duhur mjekësorë për të qënë dhurues.
“Thashë me vete, koha po kalon. Mjaft më, duhet ta bëjmë këtë punë… më thanë se isha personi i duhur për të dhuruar mëlçinë dhe ishte e pabesueshme”, thotë Nikko Velazquez.
“Nuk mund ta besoja që babai im do të kishte një mëlçi të re dhe do të ishte përsëri i shëndetshëm”, thotë Shiri, e bija.
Doktor Choon Huck Kwon thotë se një procedurë e re kirurgjikale në Klinikën Cleveland e bën transplantimin më të sigurt dhe më të lehtë për dhuruesit si Nikko.
Me këtë metodë, kirurgët janë në gjendje të kryejnë operacionin duke përdorur mjete shumë më të vogla dhe një aparat fotografik.
“E kryejmë gjithë procedurën përmes prerjeve shumë të vogla. Për të nxjerrë organin, bëjmë një prerje ndoshta 12 cenritetra ose më pak mbi zonën e legenit”, thotë mjeku.
Dhuruesit kanë më pak dhimbje, më pak komplikacione dhe shërim më të shpejtë sesa me një procedurë tradicionale.
Dhe mëlçia e një dhuruesi dhe marrësi menjëherë fillon të shërohet pas operacionit. Pjesa e mëlçisë së dhuruar – në këtë rast 33% – rigjenerohet përsëri në madhësi të plotë, në më pak se 8 javë.
“Dy javë më vonë, më duket sikur nuk kam kryer fare operacion,. Është e habitshme”, thotë Nikko.
Qëllimi i doktor Kwon është të zgjerojë programin e Klinikës Cleveland dhe të rrisë disponueshmërinë e kësaj teknologjie. Ndërsa qendrat e mëdha mjekësore në Azi e kryejnë rregullisht këtë procedurë, Klinika Cleveland është vetëm qendra e dytë mjekësore në Sh.B.A që e ofron atë. Dhe Dr. Kwon është një nga një pjesë e vogël e kirurgëve në botë që mund të përdorin këtë teknikë. Ai dhe Nikko shpresojnë se kjo procedurë do të inkurajojë njerëz të tjerë të bëhen dhurues të mëlçisë. /Zëri i Amerikës