Kompania gjermane e makinave BMW po tërheq nga tregu në Britaninë e Madhe plot 312 mijë automjete, BMW Seria 1, Seria 3, Z4 dhe modelet e saj X1, me naftë dhe benzinë të prodhuara nga marsi i vitit 2007 deri në gusht të 2011-s.

Vitin e kaluar, kompania njoftoi tërheqjen nga tregu të 36.410 makinave për arsye sigurie, por tani thotë se mund të ketë probleme të ngjashme edhe në automjete të tjera.

Prodhuesi gjerman i makinave njoftoi fillimisht për tërheqjen e automjeteve të tij nga tregu në Britaninë e Madhe, pasi Narayan Gurung, që po udhëtonte me bashkëshorten në ditën e Krishtlindjes së vitit 2016, humbi jetën kur “Ford Fiesta” i tyre u përplas me një pemë për të evituar një BMW me defekt, në Guildford, Surrey.

BMW-ja kishte pësuar një defekt elektrik, që kishte bërë që dritat e saj të mos funksiononin, duke bërë që mjeti të mbetej i ndaluar në errësirë në një rrugë kryesore.

Sipas një hetimi, kompania kishte marrë ankesa për një problem elektrik që në vitin 2011. BMW-ja kishte tërhequr nga tregu në SHBA plot 500 mijë makina në vitin 2013, po ashtu edhe në Australi, Kanada dhe Afrikën e Jugut.