Facebook ka njoftuar se miliona fjalëkalime të përdoruesve të Instagram kanë qenë të ekspozuara në serverat e saj.

Gjigandi i mediave sociale deklaroi se fjalëkalimet e përdoruesve të Instagram ishin ruajtur me një tekst të thjeshtë dhe jo të enkriptuar (koduar)dhe kjo u ka dhënë mundësi punonjësve të kompanisë që të mund të shikojnë këto fjalëkalime.

“Vlerësojmë se kjo çështje ka prekur miliona përdorues të Instagram. Do të njoftojmë përdoruesit e prekur, sikurse kemi vepruar edhe në raste të tjera”, tha një zyrtar i Facebook.

Kompania nuk ka dhënë një shifër të qartë se sa përdorues janë prekur. Facebook po heton gjithashtu nëse këto fjalëkalime të përdoruesve të Instagram janë keqpërdorur nga punonjësit.

Ky është zbulimi i fundit i Facebook që ka të bëjë me gabimet në ruajtjen e privatësisë së përdoruesve. Pak ditë më parë, Facebook pranoi se kontaktet nga emailet e 1.5 milionë përdoruesve të saj ishin ekspozuar pa dashje, të cilat mund të jenë vjedhur apo keqpërdorur.