Shumë të njohur kritikuan rrjetin social Instagram, pasi humbën miliona ndjekës nga llogaritë e tyre. Pikërisht për këtë çështje, Instagrami ka nisur një hetim zyrtar dhe ka deklaruar se do e zgjidh këtë problem sa më shpejt.

"Ne jemi në dijeni të një problemi që ka shkaktuar një ndryshim të numrit të ndjekësve në shumë profile. Ne po punojmë për ta zgjidhur këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur", thuhej në postimin e Instagram në Twitter.

Këngëtaret e njohura si Ariana Grande dhe Selena Gomez, ishin mes të famshmeve që humbën miliona ndjekës. Një raport nga "Fast Company" fillimisht sugjeroi se "Instagram ka marrë masa për të fshirë miliona profile që i shikonin si të dyshimta".

Shumë kompani, përfshirë Instagram, bëjnë spastrime sporadike të përdoruesve të tyre për të larguar profilet e rreme dhe ato joaktive. Kompania ka njoftuar në muajin nëntor se po përgatitej për të zvogëluar numrin e llogarive të rreme, të cilat përdoren nga palë të treta për të rritur popullaritetin e personave të njohur.