Rrjeti social Facebook ofroi gjatë këtyre orëve të fundit më shumë informacion rreth hakimit të muajit të kaluar.

Në fillim u tha se 50 milionë përdorues ishin prekur,ndërsa tani kompania tha se vetëm 30 milionënë të vërtetë kanë rënë pre e sulmit.

Duke shfrytëzuar një keqfunksionim të platformës, sulmuesit kanë arritur të vjedhin çelësat dixhitale të kyçjes për 30 milionë përdorues.

"Facebook" nga dita e sotme ka nisur të njoftojë të gjithë të prekurit dhe këtë mund ta bëni edhe manualisht përmes kësaj lidhjeje.

Të prekurit ndahen në tre kategori: 15 milionë përdoruesve u vodhën emrat dhe informacionet e kontaktit ndërsa për 14 milionë të tjerë u vodh thuajse çdo gjë që nga emrat e përdoruesve, gjinia, vendndodhja, gjuha, marrëdhëniet, feja, vendlindja, qyteti ku banojnë, datëlindja, edukimi, puna, vendet që kanë vizituar, uebsajtet, njerëzit dhe faqet që kanë ndjekur, kërkimet e fundit dhe pajisjet e përdorura për të hyrë në "Facebook".

Për një milion të tjerë, edhe pse çelësat u ishin vjedhur, sulmuesit nuk kanë aksesuar asnjë informacion të tyre.

"Facebook" do të njoftojë individualisht secilin përdorues të prekur dhe çfarë informacioni rreth tyre është ekspozuar, raporton "PCW".