Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar pas një postimi të Kryeministrit Rama ku thuhej se 3231 mijë fëmijë në të gjithë vendin do të kenë libra shkollore falas.
Xhixho shprehet se nuk ka tekste falas, por ka libra të papërdorshëm dhe jashtë funksionit.
Sipas deputetes, librat që nxënësit marrin në dorë në fillim të vitit shkollor janë libra që kanë kaluar dorë më dorë deri në atë masë sa janë bërë të papërdorshëm.
“Kjo qeveri nuk ka prioritet edukimin, por koncesionet e PPP-të”, thekson ajo, ndërsa shton se “2.29% e PPB-së është buxheti i arsimit për këtë vit, sërish më i ulti në rajon”.
Reagimi i Erisa Xhixhos
Boll me propagandë z. Kryeministër!
Nuk ka tekste falas për 231 mijë fëmijë, por ka libra të papërdorshëm dhe jashtë funksionit që vetëm janë kthyer në makth për fëmijët dhe prindërit.
E vërteta është se ajo që nxënësit marrin në dorë në fillim të vitit shkollor janë libra që kanë kaluar dorë më dorë deri në atë masë sa janë bërë të papërdorshëm.
Në realitet, falas janë vetëm për qeverinë që nuk e ka vënë ujin në zjarr të sigurojë tekste të reja ndonjëherë, ndërkohë që arka e shtetit pasurohet me paratë e qytetarëve që nuk marrin mbrapsht asnjë paketë sociale për të përballuar krizën e aq më pak mendohet për edukimin e tyre.
2.29% e PPB-së është buxheti i arsimit për këtë vit, sërish më i ulti në rajon.
Kjo qeveri nuk ka prioritet edukimin, por koncesionet e PPP-të.
📌Shpenzimet për koncesionet/PPP me financim buxhetor rriten për gati me 10%, për vitin e ardhshëm ose me 136 milionë euro.
12 milionë euro për Inceneratorin e Tiranës, rindërtimi vijon të thithë ende para, duke arritur në 99 miliardë lekë,
195 milionë euro do të shkojnë për zbatimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, detyrime që kanë ardhur si pasojë e keqqeverisjes.
Këto janë të vërtetat dhe boll me propagandë bajate çdo vit por rrisni buxhetin e arsimit në 5% PPB dhe siguroni vërtet tekste falas TË RINJ për të gjithë nxënësit e sistemit 9-vjeçar.📚