Autoriteti Rregullator Bërthamor i Japonisë prej disa javësh është vënë nën panik, pasi një punonjës ka humbur telefonin e tij zyrtar më 3 nëntor, gjatë një kontrolli sigurie në një aeroport në Shangai, teksa ndodhej në një udhëtim personal, raportojnë mediat japoneze.
Humbja e pajisjes u vu re vetëm tre ditë më vonë, ndërsa përpjekjet për ta gjetur rezultuan të pasuksesshme.
Telefoni përmbante të dhëna konfidenciale të stafit të përfshirë në sigurinë dhe mbrojtjen e materialeve bërthamore në objektet japoneze — përfshirë kontaktet e punonjësve të angazhuar në parandalimin e kërcënimeve si vjedhje apo terrorizëm. Autoriteti Rregullator Bërthamor i Japonisë nuk ka konfirmuar nëse informacioni është kompromentuar.
Ngjarja ndodh në një moment kur Japonia po përpiqet të ringjallë programin e saj bërthamor, i pezulluar për më shumë se një dekadë pas katastrofës së vitit 2011 në Fukushima.
Nuk është hera e parë që sektorit bërthamor japonez i evidentohen mangësi sigurie.
Në vitin 2023, një punonjës i centralit Kashiwazaki-Kariwa humbi një dosje dokumentesh pasi e la mbi automjetin e tij, ndërsa raste të tjera kanë përfshirë keqmenaxhim të dokumenteve konfidenciale dhe dyshime për përdorim të të dhënave të manipuluara gjatë kontrolleve të sigurisë.
Së fundi, autoriteti Rregullator Bërthamor i Japonisë pezulloi shqyrtimin për rinisjen e reaktorëve të kompanisë Chubu Electric, pas raportimeve për “falsifikim të të dhënave kritike të inspektimit”, duke shtuar edhe më shumë shqetësimet për kulturën e sigurisë në industrinë bërthamore japoneze.





