Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka reaguar pas telefonatës Trump-Putin. Zelenskyy tha se në telefonatën e mëparshme me homologun e tij amerikan, ai i kishte kërkuar Donald Trump të mos merrte asnjë vendim për Ukrainën pa miratimin e Kievit. Zelenskyy tha se nëse Rusia vendos kushte për tërheqjen e trupave tona nga territoret e tyre, kjo do të thotë se nuk dëshiron një armëpushim dhe nuk dëshiron që lufta të përfundojë.

“I kërkova të mos merrte asnjë vendim për Ukrainën pa ne, përpara telefonatës së tij me presidentin Putin. Kjo është një çështje parimore që është shumë e rëndësishme për ne. Ukraina nuk do të pranojë të tërheqë forcat e saj të armatosura nga zonat që janë ende nën kontrollin e saj, të cilat Moska pretendon se i ka aneksuar plotësisht. Askush nuk do të largohet nga toka jonë, territoret tona, njerëzit tanë”, theksoi presidenti ukrainas. 

Duke komentuar referencën e Kremlinit për një memorandum që do të përcaktonte kornizën për një marrëveshje të ardhshme paqeje, Zelenskyy tha se nuk i dinte detajet e kësaj për momentin, por shtoi se Kievi do të ishte i gatshëm të merrte në konsideratë propozimin rus.

“Nuk di asgjë për këtë ende. Sapo të marrim memorandumin ose propozimet nga rusët, do të jemi në gjendje të formulojmë qëndrimin tonë në përputhje me rrethanat”, shtoi ai.

Gjithashtu Zelenskyy njoftoi se Kievi dhe partnerët e tij po shqyrtojnë organizimin e një samiti me pjesëmarrjen e udhëheqësve të Ukrainës, Rusisë, Shteteve të Bashkuara, vendeve të Bashkimit Evropian dhe Britanisë, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës. Duke folur me gazetarët në Kiev, Zelensky shprehu shpresën se ky takim do të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur.