Telefonatat e marketimit të produkteve apo të shitjes së tyre, që në disa raste kthehen në shqetësim për klientët, do të vendosen nën kontroll.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka publikuar për këshillim publik një draft të Rregullores Për “Mbrojtjen e konsumatorëve dhe përdoruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike” ku në një prej anekseve sanksionohet edhe mënyra sesi do funksionojë regjistri “Mos më telefono”.
Kjo do të bëjë që numrat në këtë regjistër të mos telefonohen për qëllime marketing.
“Objekti i këtij Aneksi është përcaktimi i rregullave për sipërmarrësit ofrues të shërbimit publik telefonik që alokojnë numra për pajtimtarët dhe përdoruesit fundorë për regjistrimin e të dhënave të sakta të pajtimtarëve në lidhje me ID, zgjedhjen për përfshirje në Numeratorin Telefonik të Përgjithshëm, shërbimit të kërkimit të informacionit në numerator, si dhe krijimin e Regjistrit Do Not Call Me për të mundësuar pajtimtarët të mos marrin thirrjet/komunikimet pa kërkesë, nëse nuk e dëshirojnë këtë.
Propozimi është që secili operator duhet të krijojë një Bazë të Dhënash të Pajtimtarëve e cila të përmbajë zgjedhjet e pajtimtarëve për regjistrin Do Not Call Me dhe Numeratorin, dhe më pas këto të dhëna të përdoren për një regjistër kombëtar për thirrjet e pakërkuara dhe për ofrimin e shërbimeve të numëratorit telefonik dhe kërkimeve në numerator nga palët e interesuara.
Operatorët dhe administratori i regjistrit kombëtar Do Not Call Me kanë detyrimin që të sigurojë integritetin, saktësinë, përditësimin dhe ruajtjen e konfidencialitetit të informacionit të pajtimtarëve sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin 9918/2008, Ligji Nr.9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, si dhe akteve të nxjerra në plotësim të tyre dhe/ose për këtë qëllim” vlerëson AKEP.
Kompanitë afat deri më 1 mars 2021
Sipas pikës 1 thuhet se çdo sipërmarrës ofrues i shërbimit publik telefonik që alokon numra për pajtimtarët përdorues fundorë të shërbimit publik telefonik, ka detyrim që të sigurojë për pajtimtarët e tij që të kenë të drejtën, pa pagesë, që të përfshihen në Numëratorin Telefonik të Përgjithshëm, të informohen për qëllimin e numëratorit dhe funksionet e disponueshme të kërkimit të informacionit në numerator si dhe në Regjistrin “Mos më Telefono” (Do Not Call Me), për të mos marrë thirrje/komunikime të pakërkuara tregtare.
Të njëjtët sipërmarrës kanë detyrime që duke filluar nga 1 mars 2021 në Përmbledhjen e Kontratës, të përfshijë dhe zgjedhjen e pajtimtarit për përfshirje në Numëratorin e Telefonik të Përgjithshëm dhe zgjedhjen e pajtimtarit për thirrjet/komunikimet pa kërkesë, apo për përfshirje në Regjistrin “Mos më Telefono”.
“Për përfshirjen ose jo të pajtimtarit në Numëratorin Telefonik të Përgjithshëm, Përmbledhja e Kontratës së Pajtimtarit duhet të përmbajë në mënyrë të qartë informacion për qëllimin e Numeratorit Telefonik dhe alternativat e mëposhtme të zgjedhjes: – Dëshironi që të dhënat tuaja (numri i telefonit dhe emri/mbiemri, ose dhe adresa) të publikohen në Numeratorin Telefonik të Përgjithshëm, të printuar dhe/ose elektronik: JO/ PO – Nëse Po, Dëshironi që dhe adresa juaj të publikohet në Numërator? JO / PO
Ofruesi i shërbimit ka detyrim që gjatë procesit të zgjedhjes të informojë pajtimtarin për qëllimin e Numëratorit Telefonik të Përgjithshëm dhe funksionet e disponueshme të kërkimit të informacionit në numërator. Për përfshirjen ose jo të pajtimtarit në Regjistrin “Mos më Telefono”, Përmbledhja e Kontratës duhet të përmbajë në mënyrë të qartë alternativën e mëposhtme të zgjedhjes: Dëshironi që në numrin tuaj të telefonit të merrni thirrje/komunikime pa kërkesë nga kompani marketing në numrin tuaj të telefonit?: PO/JO” thuhet në rregullore.
Ky dokument i jep të drejtë pajtimatarit të ndryshojë kushtet për këtë aspekt në çdo kohë pra nëse merr të vendosë të mos marrë dhe e kundërta. Kjo bëhet duke u paraqitur në pikat e shitjes.
“Çdo sipërmarrës ofrues i shërbimit publik telefonik që alokon numra për pajtimtarët përdorues fundorë të shërbimit publik telefonik, ka detyrim të mbajë një Bazë të Dhënash të Pajtimtarëve, në formatin e duhur elektronik, dhe që përmban të paktën informacionin dhe fushat e mëposhtme:
1) Numri i telefonit të pajtimtarit; 2) Emri, mbiemri i pajtimtarit/emri i biznesit; 3) ID e pajtimtarit: Numri Unik Personal/NIPT; 4) Adresa e pajtimtarit; 5) Zgjedhja e pajtimtarit për numëratorin telefonik të përgjithshëm: 1. “Jo”, 2. “Po” përfshihen në fushë të veçantë elementet që pajtimtari dëshiron të publikohen. 6) Zgjedhja e pajtimtarit për thirrjet/komunikimet pa kërkesë, pra a dëshiron të jetë pjese e Regjistrit Do Not Call Me (Mos më Merr në Telefon): 1. “Jo”, 2. “Po”” thuhet në rregullore. /MONITOR