Dalin detaje të ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës, në fshatin Lishan i Epërm i Dibrës, ku një adoleshente tentoi të vrasë veten, ndërsa policia arrestoi 51-vjeçarin Shkëlqim Murrja, me të cilin ajo kishte lidhje intime.
Burime pranë Komisariatit të Policisë Peshkopi bënë me dije se A.S., 17 vjeçe, është gjetur e vetëvarur nga prindërit e saj dhe është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal në gjendje kritike për jetën.
TELEFONI ZBULOI LIDHJEN
Vajza 17 vjeçe ishte e martuar, por herë pas here ajo kërcënohej nga Shkëlqim Murrja, babai i 6 fëmijëve.
“Murrja i kishte blerë një telefon dhe një kartë celulari A.S. dhe i telefononte herë pas here. Shpesh ai e kërcënonte dhe kontrollonte çdo lëvizje të saj. Sidomos kur kthehej në shtëpinë e prindërve dhe kur ata nuk ishin aty, Murrja frekuentonte banesën e vajzës”, tha një zyrtar i Policisë Dibër për gazetën “Panorama”.
Kur bashkëshorti 24 vjeç i A.S. zbuloi se gruaja e tij mbante një telefon pa lejen e tij, ai ia ka marrë dhe ia ka shkatërruar, me mendimin se ajo nuk do të siguronte kartë tjetër telefoni. Pak ditë pas ngjarjes Shkëlqim Murrja i zë rrugën përsëri 17-vjeçares dhe i jep një kartë tjetër, madje e kërcënon duke i kërkuar që lidhja të vazhdojë.
Kur bashkëshorti ka rizbuluar se A.S. vazhdonte lidhjet me një person tjetër, ka vendosur të organizojë një takim me të afërmit e gruas, kryetarin e fshatit dhe Shkëlqim Murrjan, duke treguar gjithë historinë e lidhjes mes gruas së tij dhe 51-vjeçarit. Madje pas takimit, ai vendosi të divorcohej nga A.S.
VETËVARJA
“Mbrëmjen e së dielës, kur familjarët e 17-vjeçares po darkonin ajo ka mbërritur në kasollen e bagëtive, afro 70 metra larg shtëpisë dhe është vetëvarur. Nëna ishte e para që gjeti vajzën e varur në trarët e kasolles, teksa po jepte shpirt. Pasi i është hequr litari nga fyti është dërguar me shpejtësi në spitalin e Peshkopisë, në gjendje të rëndë”, sqaruan oficerë të Policisë Gjyqësore Dibër.
Disa ditë më parë, policia lokale ishte vënë në dijeni rreth konfliktit mes vajzës dhe shtetasit Shkëlqim Murrja, por prindërit e vajzës kishin vendosur ta mbanin sekret ngjarjen, me pretendimin se ishte turp ta mësonin persona të tjerë.
Përpjekjet për të pyetur vajzën ishin të kota. Ajo nuk ka mundur t’u tregojë zyrtarëve të policisë asnjë detaj që lidhej me ngjarjen. Sipas mjekëve, ajo para se sa të vetëvarej duhet të kishte kaluar në depresion, madje para prindërve është shfaqur shumë e shqetësuar, paçka se ata janë përpjekur ta qetësojnë sikur nuk kishte ndodhur gjë, shkruan “Panorama”.