Investigimi i “Dyrrah”-ut / Tiranasit, durrsakët dhe korçarët e përdorin më shumë Albtelekom-in se fierakët, elbasanasit, vlonjatët
DURRËS, 18 tetor 2013 – Edhe pse me popullsi më të vogël si qar, se Elbasani dhe Fieri (pa përmendur Tiranën), Durrësi ka mbi 11 për qind të numrave gjithsej të telefonisë fikse, dhe së bashku me Tiranën, kanë 49,49 për qind të krejt numëratorit kombëtar, ndonëse popullsia e këtyre dy qarqeve zë 37 për qind të totalit si republikë.
I katërti si popullsi
Referuar INSTAT-it mbi pajtimtarët e telefonisë fikse sipas qarqeve, me të dhëna deri më 30 qershor 2013 (shih faksimilen e tabelës), “Dyrrah”-u ka llogaritur se me 24 373 numrat e telefonisë fikse si qark, Durrësi ka 11,12 për qind të numrit të pajtimtarëve si republikë (218 997 gjithsej), ndonëse me popullsinë prej 266 823 banorësh ka 9,42 për qind të asaj gjithsej (2,787 615 banorë) është i katërti si popullsi. Ndërkohë, qarku i Fierit me 304 719 banorë (rreth 11 për qind e popullsisë së vendit), ka 15 511 numra (7 për qind të totalit) ose 8 862 më pak se Durrësi; kurse Elbasani me 292 957 banorë (10,5 për qind e totalit) ka 15 309 pajtimtarë (rreth 7 për qind e totalit) ose 9 064 numra më pak se Durrësi.
Dy qarqet fqinje
“Dyrrah”-u ka llogaritur se qarqet Tiranë (me 765 813 banorë) dhe Durrës (266 823 banorë), së bashku, me 27 për qind (1 032 636 banorë) të popullsisë shqiptare, zotërojnë 49,49 për qind të “paketës” së telefonisë kombëtare fikse (108 391 numra). Pra, 2 qarqe nga 12 gjithsej, kanë pothuajse gjysmën e telefonave fiks.
Për 1 000 banorë
Për numrin e telefonave për 1 000 banorë, mesatarja e republikës është 78,56 përballë Tiranës me 109,7; Durrësit dhe Korçës me 91,34. Është interesante se nën mesataren e vendit janë Fieri me 50,9; Elbasani me 52,2 apo Vlora me 58 telefona për 1 000 banorë.
Analizë
Arsyet e përdorimit të ndryshëm të llojeve të telefonisë ka të bëjë me investimet e mëparshme publike apo sot private, por edhe me shtrirjen e telefonisë celulare. Megjithatë ka ndikuar edhe shërbimi internet i ofruar nga Albtelekom-i. “Dyrrah”-u ka nxjerrë se në kryeqytet raporti pajtimtarë familjarë dhe zyrtarë/biznes është 90 me 10 për qind të favor të atyre familjarë; kjo është kuptueshme pasi në Tiranë janë institucionet qendrore shtetërore dhe numri më i madh i bizneseve. Kurse Durrësi këtë raport e ka 94,4 me 5,6 për qind. Pak a shumë i tillë është raporti dhe në qarqet e tjera.
Shënim: Sikurse u përmend më sipër, të dhënat për telefoninë fikse në vlera absolute dhe numrin e popullsisë janë të INSTAT-it, kurse “Dyrrah”-u (durreslajm.com) ka bërë përpunimin dhe analizën statistikore me përqindjet dhe treguesin e numrit të pajtimtarëve për 1 000 banorë.
/th. m. © agjencia e lajmeve “Dyrrah” /





