Nga Artan Fuga

Televizioni në ekranin klasik : Anija që po mbytet përpara syve tanë

Duke ndjekur nga afër atë që po ndodh në botën e sotme të zhvilluar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më gjerë akoma, në Amerikën e Veriut, në Japoni dhe në Europën Perëndimore, në planin teknologjik, të lëvrimit të gjinive të gazetarisë, të sistemeve të informacionit, të teknologjisë, si edhe lëvizjet në bursat e kuotimit financiar të kompanive mediatike audiotelevizive, kupton se po ndodhin lëvizje të mëdha tektonike. 

Duhet kuptuar një gjë nga operatorët televizivë shqiptarë: Televizioni në ekranin e vet klasik, televizioni i pashoqëruar me shërbime të tjera telekomunikacioni, televizioni linear, televizioni i palidhur me terminalet mobilet PC, tableta, telefona celularë, etj., televizioni i shkëputur nga videotransmetimi dhe rrjetet sociale, e ka mbaruar kohën e vet. 
Është një Yllësi e fikur që ende vazhdon të ndriçojë për inerci. 
Ose do të mbyten financiarisht këta operatorë bashkë me të, dhe do të na mbysin edhe neve si qytetarë, duke na bërë të privohemi nga transmetimi i një informacioni cilësor televiziv, nga gazetaria cilësore, nga argëtimi cilësor me figura të lëvizishme, ose duhet kuptuar që jemi në fundin e një epoke që po mbaron. 

Kapja me thonj e me dhëmbë pas televizionit klasik linear nuk është rrugëdalja. Ajo është tmerri pa fund që përgatit një fund të tmerrshëm, kolapsin e fundit të industrisë të informacionit audiovizual në Shqipëri dhe ndër shqiptarët. 
Mjafton të studiojmë tregun e sotëm botëror të transmetimeve televizive për të parë se ajo që ndodh te ne i takon shekullit të kaluar, përpara Luftës të Dytë botërore, me një fjalë mijëvjeçarit të kaluar. Jemi si të themi në epokën e gurit dhe të hurit krahasuar me atë që po ndodh sot në botë në mënyrë marramendëse. 

Europa prej mëse një dekade kaloi në masë dhe në mënyrë të pakthyeshme drejt transmetimeve tokësore numerike, dhe pastaj drejt IPTV, televizioni në Internet dhe transmetimet televizive cilësore në web nisën të zenë një vend kurdoherë më të madh në vëmendjen e operatorëve televizivë, të audiencave dhe të gazetarëve, për të mos folur pastaj për industrinë shumëmiliardashe në dollarë e euro të reklamave. 

Në shkencat historike të informimit dhe komunikimit dihet se një media e re kur shfaqet trondit të gjithë sistemin e mediave ekzistuese dhe i shtyn ato të reformohen ose të vdesin. Gjithmonë janë reformuar. 
Kështu, komunikimi në web dhe lindja e terminaleve të reja të telekomunikimit, si edhe Interneti mobil, kanë bërë që audiencat të shkojnë gjithmonë e më shumë drejt konsumimit të përmbajtjeve në ekranin e kompjuterit, i cili edhe ky është bërë disi demode, pastaj drejt telefonave mobile dhe tabletave. Përpara faktit që shumë televizione të mëdhenj, gjigantë botërorë, janë ndodhur përballë ikjes të audiencave, dezabonimeve në rrjetin kabllor, ose përballë largimeve të audiencave për të blerë karta e pasur akses në buqeta televizive të transmetimeve televizive klasike, po ndodhin ndryshime të mëdha. 

Kanë lindur të ashtuquajturit “telcos” të cilët përbëjnë fuzionin gjigant gjithmonë e më trendi midis kompanive të ofrimit të aksesit në Internet ose të menaxhimit të frekuencave të komunikimit në telefoni mobile me prodhuesit e përmbajtjeve televizive për terminale mobile. Prodhimi i përmbajtjes televizive për terminalet mobile nuk ka fare të bëjë me gazetarinë klasike që prodhon përmbajtje në televizionin që po mbytet, i mijëvjeçarit të kaluar pavarësisht faktit se ekrani mund të jetë i sheshtë, plazmë, HD, me intensitet të lartë e dendësi pikselësh, etj. 

Bashkimi i shërbimeve cilësore i aksesit në Internet, i aksesit në rrjetet e telefonisë mobile, i prodhimit të përmbajtjes televizive në formën e videove, si edhe i rrjeteve të shitjeve të çfarëdollojshme si edhe i reklamave, është sot pista e madhe e transformimit të operatorëve gjigantë botërorë që po ndiqet me vullnet dhe energji të hekurt nga operatorë performantë të ekonomive kombëtare në vende të ndryshme. 
Fuzioni i Vivendit me televizione numerike, blerja nga Verizon i AOL si prodhues përmbajtjesh videosh, pritshmëria për një bashkim të Direkt TV me T – Mobile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, strategjitë e Deutche Telekomit për të qenë pjesë e këtyre transformimeve, nuk janë veçse maja e ajzbergut e tronditjeve dhe revolucioneve të mëdha që po ndodhin përgjatë fuzionit të industrisë të telekomunikacionit dhe të transmetimeve audiovizive. Këtë po e ndjekin nga ana e tyre edhe “cablos”, pra kompanitë që kanë lindur si ofrues ekskluzivisht të lidhjes në Internet, të cilët, nga njëra anë po kalojnë drejt fibrave optikë, dhe mbulimit të të gjithë territorit me informacion, por edhe që tani priren të ofrojnë shërbime jo vetëm Interneti, ose telefonie fikse a mobile, por edhe përmbajtje televizive në formën e videove. 

Bashkimi i industrisë së telekomunikacioneve, i prodhimit të content-it televiziv, me shërbimet në fushën e mjekësisë, shkencës, arsimit, kulturës, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, është e vetmja rrugë e mbijetesës jo vetëm për sektorin e informacionit dhe argëtimit audioviziv, por edhe e rinovimit të gjithë sektorëve që përmenda. 
Nuk e di e kuptojnë pushtetarët tanë këtë, apo flenë gjumë? 

E pamundur që televizioni dhe industria radiotelevizive të qendrojë një kështjellë e pamposhtur dhe e izoluar nga komunikimi në web dhe nga telekomunikacioni mobil. Programacioni i një televizioni linear është bërë si një mamuth i vjetër, apo si një dinozaur i para epokës të ngricave planetare. Po ashtu edhe programet e stërzgjatura rrëfyese e akademike linerae, aspak interaktive me audiencat, sikurse edhe emisionet e opinioneve ku pjesëmarrësit në studio komunikojnë me njëri-tjetrin, përpara një audience në studio të budallallepsur dhe mememce, duke përjashtuar audiencat jashtë studios nga pjesëmarrja në prodhimin e produktit televiziv. 
Mentaliteti profan, joprofesional dhe analfabet, se je duke bërë videotransmetim kur një emision për ekranin e televizionit e hedh në youtube dhe kujton se ke shërbimin video për komunikimin mobil në web, nuk është veçse një formë vetëvrasjeje televizive, një turp profesional që e çon menaxherin drejt dështimit dhe pronarët e televizionit drejt falimentimit të sigurt në mos sot nesër. 

Ka ndryshuar dhe po ndryshon nga ora në orë dhe formula financiare mbi të cilën po menaxhohet industria e telekomunikacionit dhe e transmetimeve audiovizive. Reklama po ikën dhe ka të drejtë kur ikën nga televizioni klasik sikurse iket nga një anije që po fundoset, sepse në televizionin linear mund të dish se sa janë ndjekësit e një emisioni televiziv, por jo sa janë ndjekësit e vërtetë të një reklame, as të masësh impaktin e saj. Reklama klasike lineare, telemarketingu klasik është bërë edhe ai një instrument i trishtë kapitullimi dhe falimentimi. 
Reklama si ato që shohim në televizionet e sotme shqiptare kanë hyrë në muzeun prehistorik të reklamës, njësoj si reklamat e shitësve me tezga. 
Janë qesharake.
Abonimi në shërbimet video, tarifat në ofertat e përmbajtjes sipas kërkesës, prodhimi i videove për tableta dhe realizimi i aplikacioneve numerike për terminale mobile, prodhimi i reklamave dhe ofertat për akses në Internet, krahas me tërheqjen e reklamës digjitale në web-et përkatëse konkurojnë si teknika menaxhimi financiar midis tyre fuqishëm.
Po, audienca është gati të paguajë, por ajo paguan për përmbajtje cilësore, sepse audiencat “multitaske” kërkojnë një komunikimi të adaptuar me sjelljen e tyre dhe nuk janë gjyshet që flenë përpara ekranit, ose audiencat e budallallepsura dhe të përgjumura përpara ekraneve me komentatorë politikë militantë dhe shërbëtorë pa shije dhe nivel të pushtetit ekonomik a politik. 
Televizioni dhe aksesi i komunikimeve në Internet ecin së bashku. Televizioni nuk mund të urojë bllokimin e mbulimit të territoreve me Internet mobil ose fiks, në mënyrë që të jetë perandor i vetëm i ofrimit të informacionit. Probleme ka edhe televizioni i transmetimeve satelitore ose tokësore numerike, jo më televizioni si “tenxhere me presion” analog dhe linear, klasik. 

Audiencat po dezabonohen nga shërbimet televizive lineare, madje edhe me kartë kur çmimet janë të shtrenjta, një pjesë kanë prirje të abonohen në buqeta kanalesh me çmim krejt të lirë të transmetuar në streaming, duke hezituar përpara blerjes të kartave, nga të cilat kërkojnë të marrin disa shërbime njêherësh. Televizioni klasik e ka humbur betejën me Internetin, por ka vetëm mundësinë që të integrohet me të për të ruajtur specifikën e vet si media që gjithmonë mbetet e mundur. Por tjetër është prodhimi televiziv dhe tjetër televizioni klasik dhe arkaik linear. Ende Interneti nuk ka aq debit të lartë saqë të lejojë teleshkarkime gjithmonë të shpejta dhe cilësore, jo të shtrenjta, përmbajtjesh televizive, ende “streaming” nuk e lejon një zbritje masive dhe të lirë të programeve televizive sa mund të kryhet me anë të transmetimeve numerike të menaxhuara në formën e televizionit me kartë. E gjitha kjo ndërkohë që rivaliteti nga ana e operatorëve publikë të transmetimeve televizive në web ose me kartë, pa pagesë, është bërë i nivelit të lartë dhe konkurron gjerësisht televizionet komerciale. 
Televizioni ka të ardhme, por jo si televizion linear, me ekran të palidhur në web, jashtë integrimeve me industrinë e telekomunikacioneve dhe të komunikimit mobil. Përndryshe ai falimenton. Televizioni si përrallë arabe që e nis historinë nga nata e parë tek e fundit e njëmijëenjë netëve është i vdekur tashmë. 

Programacionet e padiferencuara, më keq të kopjuara prej operatorëve të ndryshëm, me gazetarë që nuk kërkojnë larmitetin dhe diversitetin, që nuk thellohen jo vetëm në përmbajtje por as në gjetjen e formave mediatike të transmetimit, nuk kanë lidhje me epokën e re ku jemi futur të ekonomisë “të vëmendjes” përballë ofertës shumë të lartë në sasi të informacionit në krahasim me aftësinë memorizuese të njeriut tê zakonshëm.
Informacioni në televizionet sikurse në gazetat tona është uniform, i njëjti, monologues. 
Mos kujtojmë se politizimi i ekraneve tona, prodhimi i reklamave bajate, bllokimi i fuzioneve midis industrisë të telekomunikimit dhe audiovizive, ndarja e frekuencave me thikë mes tyre, ikja nga loja e tregut e shitjeblerjeve të kompanive mediatike, mospasja e një burse në tregun audioviziv, emsionet informative të kthyera në mekanizma marrëdhëniesh publike nga ana e partive politike ose e qeverisë, emsionet e zvargura dhe monotone të pasdites me tone nostalgjike dhe ëndërrimtare ku u bëhen qoka personazheve romantikë, trajtimi i televizionit si radio, si gazetë, si roman, me llogje pa fund e pa imazh të freskët, raportimi i mefshtë, mbizotërimi i skandaleve, heqja nga prime time i programacionit ditor i çdo emisioni që kushton dhe prodhimi i emisioneve politike si tregu i Gabit, etj., shkundja deri në grisje e “batanijes” të dramave familjare si “motrat Kajtazi”, etj., janë të rastësishme apo janë thjesht produkt i padijes ose i dembelizmit të menaxherëve.

Jo, janë simptomat që televizioni linear, ai që ne kemi, ai që e kemi quajtur si nga performancat teknologjike që ne kemi pasur këto dekada, është duke u fundosur. 
Mos duhet të presim që të lindë një tjetër si i pakthyeshmi Dritan Hoxha për të hapur një erë të re televizive në Shqipëri? 
Ndërkohë audienca po e braktis nga dita në ditë televizionin, sikurse braktisi më parë shtypin e shkruar. Divorc midis audiencave dhe sistemeve informative, sikurse divorc midis qytetarëve dhe sistemit politik, midis sistemit bankar dhe klientëve masivë, etj.

Aktorët dhe sistemet institucionale në shoqërinë tonë po divorcohen nga dita ditës më shumë. 
Dhe kjo ndërkohë që operatorët televizivë nuk tregojnë vullnetitn dhe energjitë e duhura për të ndryshuar, kur kërkuesit shkencor dhe studjuesit nuk japin alarmin sepse janë qetë e rehat në studiot e tyre, kur komentatorët kënaqen me monopolin e skenës televizive cdo mbrëmje, kur gazetarët ankohen për pagat, me të drejtë, për statuset e mjerueshme sociale e profesionale, por që bëjnë gazetari televizive detyrimisht të mijëvjeçarit të kaluar, e mbi të gjitha kur shteti rri e vrojton sesi po vyshket nga dita në ditë industria e informacionit audioteleviziv përpara pengesash që duhen kapërcyer pa frikë e me shumë guxim qytetar për të mirën e përgjithshme, ndërkohë që ministritë e kulturës, arsimit, ekonomisë, etj., kujtojnë se nuk kanë të bëjnë fare me këtë proces që po vazhdoi brenda pak vjetësh do të na duket se në krahasim me botën ne jetojmë në epokën e gurit.

11 shtator 2015