Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq ekonomik dhe shoqëror, shkruan në një reagim të tij në rrjetet sociale, këshilltari për çështjet ekonomike në PD, Dorian Teliti.
Sipas tij, pas më shumë se një dekade politikash të gabuara, qytetarët përballen çdo ditë me rritje çmimesh, paga dhe pensione minimale, pasiguri ekonomike dhe mungesë perspektive.
Teliti shkruan se, familjet janë nën presion të vazhdueshëm financiar, ndërsa të rinjtë po largohen masivisht nga vendi, duke e kthyer emigracionin në simptomën më të qartë të dështimit të modelit aktual të qeverisjes.
Në këtë realitet shqetësues, propaganda nuk mjafton më, shkruan Teliti, ndërsa sipas tij, Shqipëria ka nevojë për zgjidhje konkrete, vizion afatgjatë dhe politika që rikthejnë shpresën dhe dinjitetin e jetesës në vend’.
Reagimi i Dorian Telitit:
Jetojmë në kohë të vështira. Çmimet rriten çdo ditë, pagat dhe pensionet mbeten më të ulëtat në rajon, familjet mezi përballojnë jetesën, të rinjtë po largohen masivisht nga Shqipëria, ky është realiteti ekonomik&social i shqiptarëve sot.
Shqipëria po varfërohet dhe po zbrazet, sepse politikat aktuale nuk prodhojnë mirëqenie, por varfërim dhe emigracion.
Paketa 4 miliardë euro 2026–2040 e Partisë Demokratike është alternativa politike ndaj këtij modeli të dështuar dhe adreson rrënjën e një sërë problemesh, duke filluar nga:
Mbështetje reale për familjet-bonus për lindjet, pagesa mujore për fëmijët dhe lehtësim të shpenzimeve për arsim e shëndetësi.
Lehtësim fiskal për të rinjtë-duke filluar me përjashtimin nga TAP për të rinjtë.
Strehim i përballueshëm për çiftet e reja-kredi të buta dhe subvencione direkte për banesën.
Punë dhe prodhim vendas-mbështetje konkrete për bujqësinë, zonat rurale dhe hapjen e linjave të reja të prodhimit.
Rikthim dhe qëndrim në Shqipëri-politika konkrete për ndalimin e emigracionit dhe kthimin e shqiptarëve në atdhe.
Paketa 4 miliardë euro do bëjë të mundur të jetuarit me dinjitet në Shqipëri, jo për ta braktisur atë.
Paketa 4 miliardë euro është një arsye më shumë për të protestuar në 24 janar, pasi Shqipëria ka nevojë për ndryshim kursi dhe vizion afatgjatë.





