DURRËS, 19 shkurt 2015 –  Tani Armand Teliti, humbësi i zgjedhjeve për kryetar bashkie përballë Vangjush Dakos, nuk do të jetë më në kandidaturat e sivjetshme të PD-së së Durrësit, sikurse kishte kërkuar publikisht, por do të punojë, me urdhër të selisë qendrore, si revizor listash në administratën e KQZ-së. 

Bëhet e ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së mërkurës, më 18 shkurt 2015, shqyrtoi dhe miratoi me 7 vota pro

emërimet e auditëve / revizorëve teknicienë për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 21 qershor 2015. KQZ-ja vendosi të emërojë audit / revizor teknicien për mbikëqyrjen e hartimit të listës së zgjedhësve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2015 Armand Telitin, i nominuari i selisë blu dhe Ened Kërçinin, i nominuari i selisë vjollcë, një emër i panjohur ky.

Sfond

Kështu, kreu i SHQUP-it Lulzim Basha riciklon zëvendësin e vet, kur ishte Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (në atë kohë nga prokuroria u akuzuan të dy për korrupsion dhe abuzim me pushtetin në lidhje me dhënien e kontratës së ndërtimit të autostradës Durrës-Kukës). 

Ish-kryetari i degës së PD-së Armand Teliti dështoi para një figure të panjohur të së majtës deri atëherë, Vangjush Dako, në vitin 2007, në zgjedhjet për bashkinë e Durrësit, kur vetëm dy vjet më parë kishte siguruar fitoren e PD-së në zgjedhjet e përgjithshme me rreth 8 mijë vota më shumë se kundërshtarët. Megjithatë Teliti u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile. 

Më 19 dhjetor 2011, ish-Ministri i Brendshëm (aktualisht President i Republikës) Bujar Nishani, ka deklaruar, ndër të tjera, para Komisionit parlamentar për Integrimin Europian:

“Shpeshherë është tentuar të përdoret një deklaratë e drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile, zotit [Armand] Teliti, të bërë në komisionin [e Sigurisë] për një numër 300 deri në 500 raste për dokumente të falsifikuara. Fatkeqësisht, në cilësinë e ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, po them se ky shqetësim është paraqitur nga disa aktorë të fushës së diplomacisë në Shqipëri, të cilët u janë referuar rasteve të tilla si shqetësime të ngritura nga aktorë politikë në Shqipëri”. 

Teliti ka qenë dhe kryetar i Këshillit të Qarkut të Durrësit. Është anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/