Dushi me ujë të ftohtë është mjaft i dobishëm për trupin, ama në këtë perjudhë jo shumë persona e preferojnë. Një dermatologe e klinikës “Cleveland”, Dr. Melissa Piliang, tregon cila është temperatura ideale e ujit që duhet të përdorësh në dush.
Sipas saj, temperatura ideale është 44-45 (44.4) gradë celsius. Ajo thotë se kjo temperaturë është e mjaftueshme për të larguar papastërtitë e mjedisit dhe bakteret e trupit.
Uji i ngrohtë që del nga dushi mund të shkojë deri në 60 gradë celsius – një temperaturë që mund ta durojë trupi, por kjo është temperaturë shumë e nxehtë, sipas mjekëve. Sigurisht, për të parë temperaturën e ujit, të duhet një termometër nën dush për të pasur një lexim të saktë. Por për këtë, Dr. Piliang thotë se uji duhet të jetë mjaftueshëm i ngrohtë, por jo i nxehtë aq sa ta durosh me vështirësi.
“Është e rëndësishme të mos përdorësh ujë të nxehtë aq sa të të skuqet lëkura, sepse në këtë mënyrë dëmton edhe shtresën mbrojtëse të saj: “Shtresa mbrojtëse është ajo që i mban mikrobet jashtë dhe nuk i lejon ato të depërtojnë nën lëkurë, por po ashtu e mban edhe lëkurën të hidratuar”, – shpjegon Dr. Piliang për Wall Street Journal.
Ajo shpjegon se shtresa mbrojtëse e lëkurës shkrihet nëse uji është në një temperaturë më të lartë se 44-45 gradë celsius.
Po ashtu, tregon se mosha është një tjetër faktor që ndikon në temperaturën e ujit në dush. Shtresa mbrojtëse e njerëzve të rinj zëvendësohet më shpejt se ajo e njerëzve më të moshuar. Duke u larë me ujë shumë të nxehtë, lëkura mund të thahet më shpejt, mund të irritohet, por edhe mund të dehidratohet.