Javën që vjen vendi ynë pritet të ndikohet nga masa ajrore të ftohta e të thata kryesisht në ditët e hënë, e të martë.

Më pas, në mesjavë pritet të kemi kalim fronti të ftohtë me masa ajrore të lagështa.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se ditën e hënë dhe të martë e pjesërisht edhe të mërkurën moti pritet të jetë me vranësira mesatare e të dendura si dhe intervale kthjellimi kryesisht përgjatë vijës bregdetare e pjesërisht përgjatë Ultësirës Perëndimore.

Ndërsa nga mesjava e në vazhdim ku pritet dhe kalimi i frontit të ftohtë, moti pritet të jetë me vranësira mesatare e të dendura, të cilat pritet të shoqërohen nga reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit e hera-herës deri mesatar.

Në relievet malore, në lartësitë mbi 600-700m, priten reshje bore me intensitet të ulët, ndërsa në Alpe e male me intensitet deri mesatar si dhe rënie të temperaturave.