SIDNEJ– Australia sot është kapluar nga temperaturat e larta të verës prej mbi 40 gradë Celsius, ndërsa zjarrfikësit po luftojnë me zjarret nëpër tërë vendin, përderisa ekipet mjekësore u ndihmojnë atyre me probleme shëndetësore, transmetoi DPA.
Në një kumtesë në "Tuiter" kryeministrja Xhulia Gilard u bëri thirrje bashkëqytetarëve të saj që të ndërmarrin masa përkujdesie kundër së nxehtit dhe t'i dëgjojnë rekomandimet për zjarre të mundshme të pyjeve.
Në Pert, në bregdetin perëndimor të vendit, është regjistruar java më e nxehtë në 80 vitet e fundit. Në qytetin Jukla, në rreth 1.430 kilometra në lindje të Pertit, është regjistruar rekord lokal i të gjitha kohërave prej 48,2 gradë.
Meteorologët paralajmërojnë se në ishullin Tasmania, që e karakterizon klimë më mesatare, termometrat do të tregojnë 39 gradë, në Melburn do të jetë 41 gradë ndërsa në Adelaida 44 gradë Celsius.
Të mërkurën temperaturat mesatare maksimale, të matura në kontinent, arritën 39,2 gradë, që është rekord për 40 vitet e fundit. Rekordi absolut i temperaturës në Australi është 50,7 gradë dhe është regjistruar në vitin 1960, por sipas sinoptikëve nuk përjashtohet tani që ai të tejkalohet, thekson DPA.