Fundjava do të jetë nën mbizotërimin e vranësirave, të cilat herë pas here do të krijojnë mundësi për reshje të pakëta shiu, kryesisht në zonat veriore. Sinoptikani Hakil Osmani nga “MeteoAlb” thotë se në orët e pasdites të së dielës do të ketë përmirësim të kushteve të motit.
Hakil Osmani: Dita e sotme ka nisur që në orët e para të mëngjesit nën mbizotërimin e vranësirave që do të jenë dominante në territorin shqiptar përgjatë ditës së sotme duke bërë që herë pas here të pësojnë zhvillime duke krijuar mundësi për reshje shiu, më të dukshme do të jenë në zonat veriore, ndërsa pjesa tjetër e territorit do i ketë në sasira më të pakëta.
Do të vijojnë të jenë prezente këto vranësira në territorin shqiptar përgjatë ditës së shtunë duke bërë që herë pas here të pësojnë zhvillime dhe parashikohet që në zonat malore të kemi edhe rrebeshe afatshkurtra shiu, ndërsa pjesa tjetër e Ultësirës Perëndimore pritet të ketë vetëm momente të pakëta me pika shiu.
Përsa i përket ditës së diel, parashikohet që vranësirat të jenë prezente të paktën në orët e mesditës dhe pasdites një pjesë të mirë të territorit shqiptar duke bërë që të kemi vetëm reshje të izoluara shiu, por duke filluar orët e pasdites dhe të mbrëmjes kemi një përmirësim gradual të kushteve të motit, si fillim në zonat veriore dhe më pas gradualisht në një pjesë të mirë të territorit. Zonat jugore mbeten nën mbizotërimin e vranësirave të dendura.“
E shtuna dhe e diela do të sjellin rënie të temperaturave të ajrit duke bërë që të jenë tipike për stinën e vjeshtës.
“Përsa i përket temperaturave të ajrit, mëngjesi i sotëm ka regjistruar vlerat minimale në qytetet e zonave malore në 9 apo 10 gradë Celsius, ndërsa maksimumet do të jenë jo më shumë se 26 gradë Celsius në qytetet e zonës së ulët. Fundjava sjell rënie të temperaturave të ajrit duke bërë që maksimumet në rang territori të zbresin rreth vlerës 23-24 gradë Celsius duke bërë që të jenë tipike për vjeshtën, por po ashtu edhe në orët e para të mëngjesit do të kemi rënie të temperaturave të ajrit duke bërë që vlerat minimale të luhaten në qytetet e zonave malore nga 6 deri në 8 gradë Celsius”.