11 gusht 2015 – Në repartin e urgjencës së spitalit rajonal të Durrësit, që prej një muaji numri i vizitave mjekësore është 2-3-fishuar për shkak të temperaturave shumë të larta. Megjithatë, specialistët mendojnë se qytetarët në këto ditë të nxehta vere janë kujdesur më shumë për shëndetin e tyre.
Dr. Ferit Domi, mjek në repartin e urgjencës thotë se çdo ditë kryhen 180-200 vizita, dhe se shumica e pacientëve vijnë me simptoma të gastroenteritit.
“Qytetarët me shqetësime kardiake apo me sëmundje kronike këtë verë kanë qenë më të paktë”, shton dr. Domi, sipas të cilit kjo kategori pacientësh kanë ndjekur këshillat e mjekëve edhe në rrugë mediatike dhe kanë qenë më të ndërgjegjësuar për të mos dalë në periudhat më të nxehta të ditës.
Krahasuar me vitet e kaluara, numri i pacientëve me komplikacione këtë vit ka qenë më i ulët.
Sipas dr. Domit, edhe ulja e parashikuar e temperaturave në fund të kësaj jave nuk pritet të shkaktojë probleme tek të sëmurët pas një muaji temperaturash shumë të larta.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/