Pavarësisht tenderit 287 milionë lekë që bashkia Durrës hapi javën e kaluar për dërgimin e mbeturinave urbane në landfillin e Sharrës, situata me menaxhimin e tyre mbetet kaotike.

Pamjet e mbërritura në redaksinë e “DurrësLajm” nga banorë të zonës dëshmojnë pirgjet me mbeturina që nuk tërhiqen prej ditësh në zonën e tregut të makinave, në Shënavlash.

Era e rëndë që lëshohet nga dekompozimi i tyre dhe insektet që “hedhin valle” rreth tyre e bëjnë situatën të padurueshme.

Në një kohë që popullsia e Durrësit është thuajse dyfishuar gjatë javëve të fundit për shkak të numrit të lartë të pushuesve dhe kthimit të emigrantëve në atdhe, NSHK duket se e ka të pamundur me mjetet që ka në dispozicion të përballojë volumin e shtuar të mbeturinave.

E për pasojë, pirgjet me mbeturina vazhdojnë e shtohen, ndotja mjedisore bëhet alarmante ndërsa për një Durrës të pastër nuk dihet se kur do mund të flitet.

Aksionet propagandistike në fillim të sezonit veror për një Durrës të pastër, i lanë vendin shumë shpejt një qyteti që vuan mungesën e papastërtisë duke nisur nga lagjet kryesore e për të përfunduar tek zonat periferike dhe njësitë administrative.