Dje është hedhur shorti për caktimin e gjyqtares që do të gjykojë dosjen e tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit. Nga shorti u përzgjodh që dosja të shqyrtohet nga gjyqtarja Ingerta Hysi. Ndërkohë, që seanca për 9 të pandehurit e kësaj dosje pritet të zhvillohet më 21 prill.
Kujtojmë se për këtë dosje u dënua drejtoresha e Ministrisë së Brendshme, Edlira Naqellari, e cila tashmë është e lirë, dhe shtetasit; Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Anisa Bogdani, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Kreshnik Bejka, Gëzim Mingaj dhe Aurora Mulla. Vitin e kaluar u zbulua abuzimi me tenderin e uniformave të policisë në vitin 2020, me vlerë 25 milionë euro.
Të pandehurit për këtë çështje u gjykuan me gjykim të shkurtuar, duke përfituar edhe ulje me 1/3 të dënimit. Zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme u arrestuan në kuadër të një aksioni të ndërmarrë nga SPAK, nën akuzën se kishin shkelur rregullat e prokurimit publik, barazinë në tenderë dhe kanë shkaktuar dëm ekonomik ndaj shtetit.
Hetimet për këtë çështje nisën pas denoncimeve të opozitës.