Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka vënë nën hetim kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agollit, pas zbulimit se i ka dhënë një tender 400 mijë dollarë kuzhinierit, Alfio Rotani, të restorantit të djalit të tij.
Pas publikimit të këtij lajmi ka reaguar edhe kuzhinieri Alfio Rrotani. Ai i ka cilësuar si politike akuzat për tenderin me vlerë 400 mijë dollarë që fitoi nga Fondi i Shqiptar i Zhvillimit për të krijuar menunë e “100 Fshatrave”.
Ndër të tjera kuzhinieri është shprehur se lajmet që po qarkullojnë janë të rreme dhe nuk kanë asnjë bazë. “Janë komplet lajme të rreme, pa asnjë bazë konkrete. Por sa të mbarojë kjo do të jap edhe unë përgjigjet e mia. Normalisht me qëllim. Jemi mësuar, e kemi parë. Unë mendoj se kjo është më shumë politike. Por unë nuk merrem me politikë”- tha ai.
Gara e zhvilluar për tenderin për hartimin e menusë së 100 fshatrave dhe realizimin e një dokumentari u dyshua se ishte e drejtë për shkak se Alfio Rrotani ka punuar me djalin e kreut të FSHZH, Flladi Agolli në restorantin e tij në Hamallaj. Por kuzhinieri për këtë fakt është shprehur: “Unë njoh gjysmën e Shqipërisë, sepse bëj konsulenca.
Nuk ka pasur fare ndikim, fare. Projekti është 3 vjeçar, kam ndërtuar një ekip, është një projekt shumë i bukur për të ndërtuar kuzhinën tradicionale shqiptare, do i lëmë një pasuri Shqipërisë. Po flasim për të çuar në UNESCO një pjatë tipike shqiptare”.
Kuzhinieri shprehet se është gati që të shkojë të dëshmojë nëse do të thirret nga prokuroria. “Patjetër që po. Nuk kam gjë për të fshehur. Çdo gjë në jetë e kam arritur me punë” përfundoi ai.
Kompania ku aksioner kryesor është Alfio Rrotani me 27 Janar të këtij viti u shpall fituese duke krijuar menunë e ”100 Fshatrave”, pjesë e programit të qeverisë për Rilindjen Rurale.