31 tetor 2015 – Ndërsa në media e në publik është hapur lajmi se një kompani kineze, që zotëron një azil pleqsh në Kinë, ka fituar të drejtën për park industrial në Spitallë të Durrësit, ka ardhur edhe reagimi i parë nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako.

“Deri dy vjet më parë ishte Kurum-i i interesuar për hapësirën e lirë ekonomike në Spitallë, madje çështja përfundoi deri në dyert e bashkisë ku kërkuan leje ndërtimi. Ne ishim shumë optimistë për këtë. Nuk e morën lejen e ndërtimit nga bashkia, sepse më vonë nga ministria e linjës u konkludua se dokumentacioni ishte me shkelje ligjore, nuk i përmbushnin kërkesat e shtetit”, nënvizoi Dako.

Për kompaninë kineze e cila ka fituar tenderin në Ministrinë e Ekonomisë, Dako thekson se është njohur nga shtypi për këtë çështje.

“Është e rëndësishme të bëhet për mua. E kam marrë vesh nga shtypi, por ne mirëpresim çdo investim në qytetin tonë, qoftë kinez, turk, gjerman, shqiptar, apo çfarëdo lloj tjetër. Mjafton të hapin vende pune dhe te ne janë të gjitha facilitetet, si vend me moshë të re pune, krah i lirë pune, porti është afër, autostradat, të gjitha janë në favor”, tha Dako.

Këtë deklaratë, kreu i bashkisë e bëri në forumin e zhvilluar në kuadër të projektit “Demokracia vendore si bashkëpunim i komunitetit qytetar me pushtetin lokal”, e organizuar nga Qendra e Studimeve “Shqipëria Europiane”.

/K.H. portali DurresLajm/