Arlis Muka është fituesi i turneut “Durrës Open” për U-14. Adoleshenti durrsak prej 8 vitesh praktikohet në këtë sport mjaft të dashur për të, ndërkohë që vitet e fundit ka koleksionuar njëri pas tjetrit kupa dhe medalje nga turnetë kombëtare dhe ndërkombëtare ku ka marrë pjesë.

Fitorja e mbrëmshme e ka emocionuar së tepërmi, aq sa për një moment, siç shprehet edhe vetë për “DurrësLajm” nuk ka mbajtur dot lotët.

Për këtë fitore të radhës, Arlisi ka një falenderim të veçantë për trajnerin e tij Maksi Prifti, por edhe për familjen, veçanërisht të atin, me të cilin në jo pak raste e praktikon këtë sport.

Shtysa e parë për Arlisin për t’u marrë me tenis ishin prindërit e tij, të cilët ndoshta se kishin menduar se ky sport do të kthehej në një pasion të vërtetë për të.

Me përkushtimin ndër vite ndaj tenisit dhe trofetë e marra deri më tani, Arlis Muka e sheh të ardhmen e tij pse jo të fokusuar tek ky sport, që vitet e fundit po merr një vëmendje të shtuar në vendin tonë.

Në turneun “Durrës Open”, tre tenistë të vegjël të qytetit bregdetar rrëmbyen vendet e para për kategoritë U-10 Anjel Hoxha, U-12 Alex Prifti dhe U-14 Arlis Muka. Pavarësisht talenteve mjaft premtuese për të ardhmen, infrastruktura që Durrësi ofron për këtë sport lë mjaft për të dëshiruar. Investimi në fusha të mirëfillta për zhvillimin e turneve kombëtare dhe ndërkombëtare jo vetëm do të shtonte vëmendjen ndaj këtyre të rinjve të talentuar që po ngrenë lart emrin e qytetit, por nga ana tjetër do ta kthente Durrësin në një pikëtakimi për organizimin e kompeticioneve të rëndësishme.

M.B.