Opozita e ka nisur këtë seancë plenare me një qëndrim të ashpër ndaj dy deputetëve Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, duke bllokuar dhe foltoren e Kuvendit. Deputetët demokratë kërkojnë heqjen e mandatit të tyre dhe shqyrtimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Deputeti demokrat Eduard Halimi tha se rrëzimi i kërkesës së Partisë Demokratike për të çuar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e dy deputetëve që kanë abuzuar me fonde publike, është grusht shteti për këtë gjykatë.
“Një vit më parë ne iu drejtuam Gjykatës edhe për Koço Kokëdhimën. Gjykata nxori një vend ku thotë se maxhoranca nuk mund të bëhet mburojë, nuk mund t’i kthejë deputetët në të paprekshëm. Ky Parlament nuk mund të jetë kurrë i banditëve dhe abuzatorëve”, tha Halimi.
Nga ana e tij, vetë deputeti Rakip Suli ka dashur të mbajë fjalën për të shprehur qëndrimin e tij, por nuk është lejuar nga deputetët e opozitës të cilët janë çuar të gjithë në këmbë dhe bllokuan foltoren.
Në këto kushte, Ilir Meta kërkoi 5 minua pushim deri në qetësimin e situatës.





