Tiranë, 11 qershor 2014 – Në një shkrim të saj, e përditshmja “Panorama” vë theksin në tensionimin e situatës, pak ditë para zgjedhjeve në degët e Partisë Demokratike për kryetarët vendorë.

Do të jetë pikërisht Mati, qyteti i parë ku do të zgjidhet kryetari i degës, për t’u pasuar më pas nga dega e Sarandës, që do t’i zhvillojë zgjedhjet të shtunën dhe dega e Lushnjes, që zgjedh kryetarin e ri të dielën.

Por, sipas “Panorama” katër ditë para zgjedhjeve në Mat, është rritur tensioni mes kandidatëve. Pak ditë më parë, në mbledhjen e kryesisë së degës së Matit, kryetari aktual i kësaj partie, njëherësh edhe deputet, Bedri Hoxha, është akuzuar se po mban anë gjatë këtij procesi zgjedhor.

Burimet bëjnë të ditur se Hoxha ka mbështetur kandidaturën e ish-gardistit Alfred Ahmetceni, çka ka sjellë edhe reagimin e kandidatëve të tjerë. Në listën e kandidatëve, përveç tij janë edhe Gazmend Lika, Demir Çupi dhe Basir Çupa.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme ka ndodhur edhe përplasja tjetër mes deputetit Hoxha dhe djalit të Demir Çupit, i cili ka tentuar ta ndalojë përpara derës së Komisariatit të Policisë dhe e ka ofenduar atë. Për gazetën, deputeti Hoxha ka konfirmuar përplasjen e djeshme me të birin e kandidatit, ndërkohë që ka bërë edhe një kallëzim në polici pasi pretendon se është kërcënuar me jetë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/