13 janar 2015 –  Loja nuk jep sinjale inkurajuese, rezultatet nuk vijnë dhe për pasojë rritet tensioni brenda grupit. Viti 2015 nuk mund të niste më keq për Milanin, i cili tashmë e sheh veten më larg eurozonës. Formacioni i Filipo Inzagit nuk po arrin dot të ketë vijueshmëri dhe sipas të përditshmes italiane “La Gazzetta dello Sport”, kanë nisur dhe pakënaqësitë e para brenda grupit. Ulërima dhe debate me tone të ashpra mes Inzagit dhe lojtarëve janë dëgjuar pas përfundimit të pjesës së parë të sfidës kundër Torinos. Burime brenda skuadrës zbulojnë se ka diçka që nuk shkon dhe tashmë harmonia e grupit është e rrezikuar. Mbrëmja në “Olimpikos” të Torinos, që nisi mirë për formacionin e Milanit, i cili që pas tri minutash gjeti avantazhin me Zheremi Menez, gradualisht ndryshoi fytyrë. Kartoni i kuq i Matia De Shiljos e bën Milanin ekipin më të ndëshkuar në Itali dhe kjo tregon se nuk ka qetësi në lojën e “Djallit”. Një dëshmi më shumë që tregon se harmonia po rrezikohet është gjesti i Sulej Muntarit në momentin e zëvendësimit. Ganezi shpërtheu me fjalë fyese dhe gjeste absurde, duke u treguar nervoz karshi trajnerit të tij.

Me pak fjalë, në shtëpinë kuqezi nervat nuk mbajnë më. “Super-Pipo” nxjerr gjoksin përpara dhe kërkon që tifozët të tregohen të durueshëm, por pakënaqësia e tyre nis të shfaqet gjithnjë e më shumë. Populli kuqezi shfryn në rrjetet sociale dhe vërshëllimat në përfundim të sfidës kundër Sasuolos janë një tregues më shumë se “muaji i mjaltit” mes Inzagit dhe tifozëve, që e kanë adhuruar për një dekadë, po rrezikon të përfundojë keq. Këtë situatë Pipo duhet ta ndryshojë sa më shpejt, mbase në ndihmë do t’i vijë edhe klubi, duke ndërhyrë në merkato.