Roma ka marrë një fitore të rëndësishme mbrëmjen e sotme pasi ka mundur skuadrën e Napolit në “Olimpico” me rezultatin  2-0.

Sfida ishte mjaft delikate edhe për faktin se gjatë 90 minutave u dhanë edhe dy kartona të kuq dhe të dyja ishin për miqtë. Sakaq edhe dy trajnerët, Mourinho dhe Mazzari u ndëshkuan me kartona të verdhë në pjesën e parë.

45 minutat e para u mbyllën në barazim pa gola. Ndërsa në të dytën, në minutën e 66′ sulmuesi i Napolit, Politano u ndëshkua me të kuqe nga arbitri. 10 minuta më vonë, Roma gjeti golin e avantazhit me Pellegrinin pas një topi të dhuruar nga El Shaarawy.

Në minutat e mbetura, pati mjaft tension dhe sulmuesi tjetër napoletan, Victor Osimhen mori dy të verdha dhe doli nga loja duke e lënë ekipin tashmë me 9 futbollistë. Në minutën e 94 ishte rradhe e belgut Lukaku për të vulosur fitoren me golin e dytë.

Roma arrin një fitore të rëndësishme në betejën për Europën, edhe për faktin se Napoli ishte një rival direkt. Verdhekuqtë shkojnë në kuotën e 28 pikëve pas 17 javëve në vendin e 6, ndërsa Napoli në të shtatin me 1 pikë më pak.