Rebelët pro-rusë në rajonin separatist të Moldavisë, Transnistria, u përgatitën për një takim të mërkurën, mes frikës se ky rajon mund të hapë një pikë të re të nxehtë në luftën e Moskës me Ukrainën.

Ligjvënësit e Transnistrisë iu drejtuan Këshillit të Federatës dhe Dumës Shtetërore të Rusisë me një kërkesë për të zbatuar masa për të mbrojtur Transnistrinë përballë “presionit të shtuar nga Moldavia”.

Përveç kësaj, deputetët vendas i bënë thirrje OSBE-së, CIS, Parlamentit Evropian, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së me një thirrje për të “ndikuar në udhëheqjen e Moldavisë për t’u kthyer në dialog adekuat dhe për të parandaluar shkeljet e të drejtave dhe lirive të banorëve të Transnistrisë”..

Në deklaratën e tyre, deputetët vendas vunë në dukje se Moldavia ka nisur një “luftë ekonomike” kundër Republikës së Moldavisë Transnistriane, dhe gjithashtu akuzuan Kishinau për bllokimin e qëllimshëm të negociatave me Tiraspolin.

Rripi i hollë i tokës është ‘de facto’ i kontrolluar nga forcat pro-ruse që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, por njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Moldavisë.

Qeveria pro-BE në Moldavi dhe vendet perëndimore janë të shqetësuar se ligjvënësit separatistë në rajon mund të përsërisin veprimin, duke përfituar nga lufta në Ukrainë.