Seanca plenare e së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me tensione teksa fjalën e ka marrë kreu i PD, Sali Berisha i cili ka përdorur fjalor të papërshtatshëm çka ka bërë që kreu i kuvendit t’i ndërpresë fjalën.

Pas këtij momenti deputetë e PD kanë bllokuar foltoren e Kuvendit duke u përplasur me Gardën.

Në rendin e ditës janë parashikuar disa projektligje dhe projektvendime për votim, si dhe interpelanca dhe seanca pyetje-përgjigje me ministra të ndryshëm.

Mes projektligjeve që do të shqyrtohen janë ndryshime në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, në ligjin për akcizat, si dhe ligji për Trashëgiminë Kulturore dhe Muze. Po ashtu, Kuvendi do të diskutojë projektligjin për shërbimin e jashtëm dhe projektvendime për strukturën dhe pagat e personelit me kohë të pjesshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe caktimin e anëtarëve zëvendësues në komisionet e përhershme parlamentare.

Në kuadër të seancës janë planifikuar dy interpelanca me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro. Deputetja Erisa Xhixho kërkon sqarime për sigurinë në shkolla, ndërsa deputeti Erald Kapri kërkon informacion mbi masat kundër dhunës në institucione arsimore.

Gjithashtu, deputeti i PS, Erion Braçe, ka kërkuar një seancë pyetje-përgjigje me Ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, për të sqaruar mosfunksionimin sipas tij të Qendrës Shëndetësore në rrugën “Irfan Tomini”.