Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka sqaruar sot, 25 mars, arsyet pse i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas saj, partitë politike kanë bërë më shumë propozime sesa lejohet me Kushtetutë.

“Për shkak se janë kërkuar tre nga Lëvizja Vetëvendosje, janë emëruar vetëm dy. Janë kërkuar dy nga Partia Demokratike e Kosovës, është emëruar vetëm një, për shkak se ka më shumë propozime sesa që i lejon Kushtetuta. Meqenëse kjo çështje deri tani nuk është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese, kam kërkuar që ta sqarojë atë”, ka deklaruar Osmani përKlanKosova.

Ajo shtoi se kjo çështje ka mbetur e paqartë ndër vite dhe se rasti aktual ndryshon nga praktikat e mëhershme. 

“Ky rast është ngritur mbi një çështje të ndryshme ligjore, jo si në rastet e mëparshme qoftë nga presidenti Hashim Thaçi, qoftë nga ana ime”, u shpreh ajo.

Presidentja e ka dorëzuar kërkesën të martënnë Gjykatën Kushtetuese, pas mosmarrëveshjeve mes partive politike për numrin e anëtarëve të KQZ-së.

Emërimi i anëtarëve të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë bëhet sipas një strukture të përcaktuar qartë me Kushtetutë. KQZ-ja është një organ i përhershëm dhe i pavarur që merret me organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve.

Komisioni përbëhet nga gjithsej 11 anëtarë: një kryetar dhe 10 anëtarë të tjerë. Nga këta, gjashtë anëtarë emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare shqiptare. Një anëtar emërohet nga deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb, ndërsa tre anëtarë të tjerë emërohen nga deputetët që përfaqësojnë komunitetet e tjera joshumicë.

Në rastet kur në Kuvend ka më pak se gjashtë grupe parlamentare shqiptare, atëherë grupet më të mëdha mund të propozojnë anëtarë shtesë, por pa ndryshuar parimin bazë të përfaqësimit.

Ky sistem nuk bazohet në proporcionalitet sipas numrit të deputetëve, por në një model të barabartë përfaqësimi, ku secili grup parlamentar që ka të drejtë përfaqësimi propozon nga një anëtar, pavarësisht fuqisë politike.

Emërimi i anëtarëve bëhet nga Presidenti i Kosovës, pasi partitë parlamentare dorëzojnë propozimet e tyre brenda afateve të përcaktuara ligjore. Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, ky proces duhet të përfundojë jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.