Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të martën se brenda pak ditësh do të dalë me kërkesat e Serbisë kundruall gjendjes në veri të Kosovës, duke akuzuar qeverinë në Prishtinë për përndjekje të popullsisë serbe.

Ai i bëri këto komente në një deklaratë për shtypin pas një takimi në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak.

Ai tha se gjatë ditës është takuar edhe me ambasadorin amerikan në Serbi Christopher Hill.

“Në 72 orët e ardhshme do t’i drejtohemi publikut dhe do të flas për atë që kërkon Serbia, për shkak të sulmeve brutale ndaj popullatës serbe, para së gjithash në veri të Kosovës dhe për atë se çfarë nuk ka përmbushur e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare, çfarë kërkon Serbia dhe çfarë do të bëjë Serbia”, tha ai.

Autoritetet serbe akuzuan të martën policinë e Kosovës për represion në veriun e banuar me shumicë serbe, pasi policia e Kosovës arresoi katër persona në Mitrovicën e Veriut të cilët kanë ofenduar e më pas sulmuar dy zyrtarë policorë. Policia tha se tre nga të arrestuarit kanë qenë nën ndikim të alkoolit dhe me urdhër të Prokurorit të shtetit janë dërguar në paraburgim për t’u marrë në pyetje.

Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme./VOA