Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi që të hiqen masat ndëshkuese që vitin e kaluar Bashkimi Evropian vendosi ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së disa kërkesave që kishin të bënin me shtensionimin e situatës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Gjatë një takimi me shefin e zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, ambasadorin e Francës, Olivier Guerot, atë të Italisë, Antonello De Riu dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë, MathiasConrad, Osmani tha se masat janë “të padrejta” dhe po krijojnë “mungesë ekuilibri në dialog” me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Osmani shtoi se Kosova ka ndërmarrë hapa drejt përmbushjes së kërkesave të faktorit ndërkombëtar për këtë çështje.

“Heqja e masave do të krijonte atmosferë shumë më pozitive për vazhdimin e dialogut parimor ku të dyja palët do të trajtoheshin të barabarta”, tha Osmani, sipas një njoftimi për media.

Verën e vitit të kaluar, BE-ja ndërmori masa ndëshkuese kundër Kosovës, përfshirë anulimin e disa fondeve dhe takimeve të nivelit të lartë, për shkak se Kosova nuk iu bind disa kërkesave të saj për të shtensionuar situatën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.

Në mesin e kërkesave të BE-së, por edhe Shteteve të Bashkuara ishte edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veriun e Kosovës, pasi ato të prillit të vitit 2023 u bojkotuan nga serbët, gjë që bëri që zgjedhjet në katër komunat në veri të fitoheshin nga kryetarët shqiptarë.

Osmani, sipas njoftimit bisedoi për përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

“Presidentja ritheksoi se e drejta për të kërkuar largimin e kryetarëve nëpërmjet nënshkrimeve është e drejtë që u takon qytetarëve dhe se tani pret që në KQZ të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme në përputhje me ligjin dhe udhëzimin administrativ në fuqi”, u tha në njoftim.