Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen ka përfunduar një udhëtim katër-ditor në Kinë, me qëllim rindërtimin e urave midis dy vendeve. Por a ishte i suksesshëm udhëtimi i Yellen në Pekin? Sipas disa idikatorëve mund të thuhet që po, shkruan BBC.

SHBA dhe Kina po komunikojnë sërish me njëra-tjetrën, ballë për ballë, me mirësjellje dhe respekt, ndonëse ende jo ‘ngrohtësisht’. Është një kontrast i fortë nëse do ta krahasonin me komunikimin që kanë pasur gjatë administratës së Donald Trump. Toni dhe përmbajtja nga të dyja anët është më pozitive dhe më e matur.

Yellen tha se udhëtimi i saj do të ndihmonte në ndërtimin e një “kanali elastik dhe produktiv komunikimi me ekipin e ri ekonomik të Kinës”. Në mars të këtij viti, pjesa më e madhe e nivelit të lartë të qeverisë kineze u zëvendësua me burra.

Shefi i ri ekonomik i vendit, He Lifeng ishte dhe më i vlerësuari i presidentit kinez. Të shtunën, Janet Yellen kaloi pjesën më të madhe të ditës me zotin He.  Ajo tha se bisedimet e tyre kishin qenë “të drejtpërdrejta, thelbësore dhe produktive”, edhe pse pranoi se të dy palët kishin “mosmarrëveshje të rëndësishme”. Gjatë gjithë vizitës së saj, Yellen u përpoq të bindte mikpritësit e saj kinezë se nën Presidentin Joe Biden, Amerika nuk është armiqësore ndaj Kinës.

“Ne nuk e shohim marrëdhënien tonë në kushtet e konfliktit të fuqive të mëdha. Ne nuk kërkojmë të shkëputim, ekonomitë tona nga njëra-tjetra”, është shprehur ajo. Duket se administrata Biden po përpiqet të demonstrojë se politika e saj për Kinën nuk është thjesht një vazhdim i armiqësisë së hapur të administratës Trump ndaj Pekinit.

A ia doli?

Për këtë duhet të presim edhe reagimet nga pala kineze. Por siç thuhet, veprimet flasin më shumë se fjalët. Dhe nga këndvështrimi i Pekinit, disa veprime të fundit të administratës Biden nuk janë asgjë tjetër veçse miqësore.

Janet Yellen teksa foli në  një konferencë për shtyp tha se  SHBA-të tani po lëvizin për t’i zgjeruar ato kufizime ndaj eksporteve të tjera të teknologjisë së lartë në Kinë, ndërsa mbështeten fort tek aleatët e saj, nga Japonia në Gjermani, në Holandë. Tensionet mes dy vendeve u shtuan edhe pas rrëzimit të balonës spiune kineze. Edhe ekspertët më optimistë besojnë tani marrëdhënia  mes vendeve është  e vështirë dhe se do të kërkojë menaxhim të kujdesshëm dhe afatgjatë nga të dyja palët për ta mbajtur atë të qëndrueshme.