Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka thënë se tensionet e shkaktuara nga opozita janë një sjellje e përsëritur.

Në një prononcim për gazetarët, Balla tha se mosbindja civile e opozitës nuk lidhet me burgosjen e Ervin Salianjit, por është skenar që përsëritet sa herë që Shqipëria avancon në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Kjo nuk është një situatë që ndodh për herë të parë. Tani është bërë çdo Vjeshtë. Edhe para 1 viti ishte e njëjta situatë. Sa herë që Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm të rrugëtimit të vetë historik drejt anëtarësimit në BE, kemi Konferencën e Dytë Ndërqeveritare në dy javë, kthehemi në të njëtën situatë. Kush mendon që kjo sjellje ka të bëjë me një vendim të caktuar gjykate, e ka gabim. Kush mendon që i merr shqiptarët për budallenj, e ka gabim. Kush mendon që të përsërisësh të njëjtën marrëzi gjithmonë dhe të presësh rezultat të ndryshëm, e ka gabim.

Apeli im si koleg është që dhuna nuk ka vend në një demokraci. Dhe nëse do isha deputet i opozitës do ta përdorja nderin e madh që më ka bërë populli të jem përfaqësuesi i tyre, duke folur në emër të popullit në foltoren e Kuvendit. Në demokraci pushtetet janë të ndara. Mos prisni asnjë përfaqësues të PS të komentojë vendimet e gjykatave. Vendimet e gjykatave duhen respektuar”, u shpreh Balla.