Kryeministri Edi Rama nga takimi në Malin e Zi ka komentuar vendimin e homologut të tij, Albin Kurti për vendosjen e 4 kryetarëve të zgjedhur në Veri të Kosovës dhe tensionet me Serbinë, ku tha se ky veprim është i rrezikshëm për vendin.
Rama tha se në vend që Kurti të ngujonte kryetarët në 4 institucionet, duhej të vazhdonte përpara dhe të linte pas krenarinë e tij.
“Ky është një moment për të luftuar me mendësinë e vjetër, për të luftuar me fantazmat e kaluara për ta lavdëruar Oso Kukën kur na i tregojnë po jo për ta bërë nga e para, të futemi nëpër kulla dhe të bllokohemi ti kthejmë institucionet në kulla dhe na kërkojnë që të bashkohemi në samit dhe të këndojmë këngë. Mendoj që janë histori që ne jemi krenar por nuk mund të jetojmë në kohën e inteligjencës artificiale, aq kohë kemi humbur në këtë rajon kur ka një sërë oportunitetesh më duket e tepër, e rrezikshme dhe e kotë. Ndryshe do na nxirrte në ndonjë shteg, por të rrezikojmë dhe sakrifikojmë jetë njerëzish për histori të kota na duket e papranueshme, shikoni Malin e Zi ku dukej një fuçi baruti dhe do shpërthente tani ka qetësi, çfarë i ndodhi tani që u sistemua në këto gjëra, përveç se u rrit turizmi”, tha Rama.