25 janar 2015 – Fundjavë e tensionuar për dy nga klubet më historike të futbollit botëror. Milani dhe Reali i Madridit dolën të ridimensionuar nga dy sfida shumë të rëndësishme, ku Milani mori një goditje të rëndë, ndërsa Reali i Madridit ia hodhi paq edhe pse në fushën e lojës nervozizmi u reflektuar qartë.
Mexes dhe Cristiano Ronaldo janë treguesi më i pastër i momenteve të nervozizmit në radhët e të dyja skuadrave ku dy futbollistët nuk përdorën vetëm këmbët, siç bëjnë zakonisht për të ndihmuar skuadrat respektive, por vunë në punë edhe duart. Rasti i parë u regjistrua në transfertën e Cordobas ku Reali e pa veten në disavantazh dhe me kalimin e minutave situata u tensionua pasi "armata" merengues nuk po arrinte të gjente golin e fitores. Dita e zezë për Cristiano Ronaldon u finalizua me një gjest aspak sportiv. Nervat e tradhëtuan lojtarin më të mirë të botës, i cili kërkoi që të fuste në rrjetë…jo topin por kundërshtarin Edimar. Një gjest që vjen pas një rrjedhe logjike të ngjarjeve sepse vetëm dy minuta më parë, Ronaldo veshi dorezat e boksierit për t'i dhënë një leksion ringu rivalit Jose Angel Crespo. Një sjellje arrogante që u finalizua me gjestin provokues ndaj tifozëve vendas në ditën më të errët të një karriere të gjatë ku shkëlqimi i tofeve për disa orë ia la vendin errësirës, ndoshta në ditën më të errët të magjistarit portugez.
Rastësi? Ndoshta, por fakt është se me Irina Shayk në krah, Cristiano ka qenë përherë lojtari shembull si në fushën e lojës ashtu edhe jashtë saj. Tashmë që bukuroshja ruse ka vendosur të ndjekë rrugën e saj, CR7 tregon limitet e karakterit të tij. Një tjetër shkak për mendimet e këqija në kokën e luzitanit mund të jetë edhe fakti që gjatë javëve të fundit ai nuk arrin ta gjejë në vazhdimësi rrugën e rrjetës sepse makina vrasëse e ndërtuar nga Ancelotti nuk bazohet vetëm në aftësitë e tij, por edhe në sprintin e Gareth Bale apo në aftësitë teknike të Iscos e Toni Kroos. Por nëse Reali i Madridit deri diku e eklipson tensionin me rezultatin pozitiv që mori në minutat e fundit, Milani ka prekur fundin. Inzaghi dhe Mexes janë vënë në bankën e të akuzuarve. Francezi ishte protagonist i një marrëzie në "Olimpico" ku shkoi deri në kërcënimet personale ndaj kapitenit të Lazios, Stefano Mauri. Ndryshe nga rasti i Cristiano Ronaldos ku arsyet janë ende të paqarta, shpërthimi i Mexes e ka një burim. Milani në fushë është një skuadër pa identitet. Busulla kuqezi nuk tregon asnjë drejtim dhe mbrojtja fut ujë nga çdo anë.
Mexes e ruajti qetësinë për 83 minuta por e shkuara e tij si romanist doli në pah kur mbrojtësi francez kërkoi të mbyste kundërshtarin. Një katastrofë e vërtetë në sytë e lodhur të Adriano Gallianit. Një tango dyshe të cilën Mexes e hodhi në mënyrën më të keqe të mundshme duke rënë në kurthin e kundërshtarit. Për francezin nuk ka justifikim sepse marrëzia e tij arriti deri aty sa kërkoi të rezervonte të njëjtin fat edhe për Lorik Canën. Kaos total në Milanello. Ish romanisti, ashtu si Cristiano Ronaldo duhet të përballen me furinë e tifozëve, opinionit publik dhe mediave sepse përjashtimi i përkohshëm apo falja rutinë në rrjetet sociale, janë shumë pak për të fshirë zhgënjimin.





