Është shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike protesta e prindërve dhe fëmijëve të shkollës 9-vjeçare në Mengel të Elbasanit, të cilët kërkojnë hapjen e shkollës së tyre, e dëmtuar nga tërmeti para një viti.

Protesta ka nisur qe prej orës 12:00 dhe vijon ende, ndërsa gjendja shëndetësore e fëmijëve është rënduar, pasi janë të lodhur dhe të uritur.

Protestuesit janë ulur sot në mes të rrugës dhe kanë bllokuar qarkullimin në aksin kombëtar Elbasan-Librazhd dhe për pasojë kanë krijuar radhë të gjata automjetesh.

Në foto shihen fëmijët të cilët qajnë, madje një nga ata është plagosur në fytyrë.

Në protestë merr pjesë edhe deputeti i PD, Luçiano Boci, ndërsa në disa raste ka pasur konfrontime mes protestuesve dhe policisë. Nënkryetari i bashkisë së Elbasanit, Klevis Xhoxhi i shoqëruar nga drejtues të Drejtorisë së Policisë Vendore ka mbërritur te protestuesit për të negociuar. Gjithashtu Drejtori i policisë, Altin Qato është takuar me deputetin e PD Luçiano Boçi.

Sipas specialistëve, shkolla e Menglit ka nevojë për rikonstruksion forcues të strukturave pasi rrezikon të shembet. Në të tillë situatë nxënësve u është siguruar transporti falas deri në shkollat e qytetit, por rreth 200 nxënës e kanë bojkotuar. /BW