Presidenti i rrëzuar i Sirisë, Bashar al-Assad, raportohet se i ka shpëtuar për mrekulli një tentative për atentat që dyshohet se ndodhi në Moskë, ku ai është strehuar me familjen që prej 8 dhjetorit 2024.
Informacioni vjen nga kanali Telegram “General SVR”, i cili besohet të drejtohet nga një ish-agjent i lartë rus.
Sipas burimeve të kanalit, atentati ndaj Assad-it ka ndodhur të dielën, kur ai është helmuar dhe ka përjetuar një gjendje kritike, duke u përpjekur të merrte frymë. Mjekët e thirrur me urgjencë në banesën e tij arritën ta stabilizonin. Megjithatë, lajmi nuk është konfirmuar nga asnjë burim zyrtar.
“The Sun” shkruan se raportimet e mediave ruse sugjerojnë se Assadi kërkoi kujdes të menjëhershëm mjekësor pasi, brenda pak sekondash nga ekspozimi ndaj substancës së dyshuar helmuese, ai filloi të kollitej në mënyrë të pandërprerë dhe ndjeu vështirësi të mëdha në frymëmarrje.
Tentativa për atentat ka ndodhur në një kohë kur po qarkullojnë zëra për tensione familjare. Raportet tregojnë se gruaja e tij, Asma al-Assad, po kërkon divorcin dhe shpreh dëshirën për t’u zhvendosur në Londër.
“General SVR” pohon se ka arsye të forta për të besuar se atentati është një përpjekje e drejtpërdrejtë për të eliminuar liderin e rrëzuar sirian. Gjendja shëndetësore e Assadit është stabilizuar të hënën, ndërsa incidenti mbetet i paqartë dhe pa konfirmim nga burime zyrtare.