Policia në Çeki ka arrestuar një person, që dyshohet se ka tentuar të vriste Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel.
Sipas medieve ndërkombëtare, një person i armatosur që udhëtonte me Mercedes të zi, iu afrua eskortës së Merkel-it dhe u përpoq të depërtonte te makina e Kancelares gjatë udhëtimit të kësaj të fundit për në Pragë.
Automjeti i dyshimtë me të cilin udhëtonte i arrestuari, u shfaq gjatë kohës që autokolona e Merkel-it po i drejtohej periferisë së qytetit pasi ishte nisur nga aeroporti.
Zëdhënësi i Policisë së Çekisë tha se i dyshuari është arrestuar, ndërkohë që ngjarja është duke u hetuar.
Merkel ka qenë për një vizitë një ditore në Pragë ku u takua me Kryeministrin Bohuslav Sobotka. Gjatë takimit me homologun çek, Kancelarja e Gjermanisë u prit me protesta nga qytetarët.





