Një tentativë vrasjeje ka ndodhur në Krujë, ku ka mbetur i plagosur një djalë 18 vjeç.
Autori i kësaj ngjarjeje është shtetasi Erald Nika, 22 vjeç, banues në fshatin Kameras, Fushë – Krujë, i cili ka tentuar të vrasë 18-vjeçarin me iniciale M.K., banues në fshatin Kameras.
Me të marrë njoftimin menjëherë në vendngjarje shkuan Efektivat e Policisë, të cilët bënë të mundur këqyrjen e vendit të ngjarjes, mbledhjen e provave materiale, identifikimin dhe kapjen e autorit menjëherë pas kryerjes së krimit.
Ngjarja e rëndë është shënuar orët e mbrëmjes së të dielës pas një konflikti çasti mes të plagosurit dhe autorit. Policia sqaron se Nika e ka kryer krimin me armë zjarri tip pistoletë.
I dëmtuari ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë nën kujdesin e mjekëve. Ndërsa autori u arrestua, për të cilin mësohet se është person me precedentë penalë të mëparshëm.
Në vendin e ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale:
• arma e krimit tip pistoletë me mulli pa numër dhe
• dy gëzhoja, kalibri 7.62 mm, mod.54.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.





