Nazmi Selmani, kreu i klubit “Iliria” që kërcënoi sot Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, nuk është një emër i panjohur për publikun.

Ai jeton në Fushë Krujë bashkë me familjen, ku drejtën klubin lokal dhe ka në pronësi një nga resortet më të mëdha në vend, “Nord Park Resort”.

Ky nuk ishte konflikti i parë i Selmanit me emra të rëndësishëm në drejtimin e kuqezinjve.
Pak vite më parë, Selmani në gjendje të dehur ka udhëtuar drejt Tiranës për të dhunuar Edy Rejan, në momentin që ky i fundit ishte trajner i kuqezinjve.

ZËRI ka zbardhur edhe dinamikën e plotë të konfliktit mes drejtuesit të klubit “Iliria”, Nazmi Selmani dhe Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Qëllimi i Selmanit ka qenë angazhimi i djalit të tij, Gentian Selmani në ekipin e kombëtares kuqezi.

Selmani i është rikthyer një vit më parë futbollit, pasi për gjashtë muaj rresht ka qenë i dëmtuar. Aktualisht, ai është angazhuar si portier në ekipin e Tiranës, por babai i tij ka dashur që i biri të veshë fanellën kuqezi. Dhe duke qenë se grumbullimi nis nesër, Selmani ka kontaktuar Dukën për t’ia kërkuar këtë nder, por Presidenti i FSHF-së nuk ka pranuar.