Vajza 20-vjeçare që i shpëtoi përdhunimit dy net më parë, pasi qëlloi 5 herë me thikë bashkëfshatarin, ka treguar në polici detaje nga ngjarja.

Vajza ka thënë se rrinte me thikë në brez, e frikësuar nga ndonjë sulm i mundshëm ndërkohë që futej në pyll për punët e përditshme, pjesë e jetës në fshat.

Ngjarja ndodhi pasditen e së hënës në Kodër Rrëshen të Mirditës. Sipas policisë, Severjan Tusha, 24 vjeç, është plagosur me thikë nga shtetasja Manjola Gjonaj.

“Panorama” shkruan sot se dy të rinjtë, të cilët ishin nga i njëjti fshat, kishin njohje me njëri-tjetrin dhe në momentin e ngjarjes janë takuar rastësisht në një zonë të pyllëzuar pranë Kodër Rrëshenit.

Sapo ka parë vajzën e cila ishte e vetme, Tusha i është afruar dhe ka tentuar të kryeje marrëdhënie seksuale me dhunë me të. Vajza e cila mbante thikë me vete e ka qëlluar disa herë në disa pjesë të ndryshme të trupit agresorin, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Edhe 24-vjeçari i është kundërpërgjigjur asaj duke e qëlluar disa herë me sende të forta. Kanë qenë banorë të zonës që kanë dëgjuar britmat dhe thirrjet për ndihmë të saj, të cilët i kanë gjetur të rinjtë të plagosur.

24-vjeçari ishte plagosur më rëndë dhe ishte thuajse pa ndjenja. Ndërsa vajza kishte marrë plagë në kokë si pasojë e goditjeve, por jashtë rrezikut për jetën.

Që të dy ata u arrestuan, pasi Manjola Gjonaj akuzohet për “vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”, ndërsa Severjan Gjonaj akuzohet për kryerjen e veprës penale të “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, e mbetur në tentativë.